×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Politologu shqiptar: Kosova po e mban kufirin hapur për Serbinë, por jo për shqiptarët

    Reporteri
    02 Qershor 2020 | 14:45

    Ermal Hasimja politolog dhe pedagog tha për Euronews Albania se ai kishte tentuar ditën e sotme të kalonte kufirin drejt Kosovës, por ishte informuar nga policia kufitare e Kosovës që nuk lejohej të kalonin shtetasit e tjerë veç atyre të Kosovës dhe rezidentëve.


    “Disa policë e kërkonin testin e COVID-19 të tjerë jo, por dukej që situata ishte kaotike edhe për vetë autoritetet atje,” tha Hasimja.

    “Është qesharake që është i mbyllur për shqiptarët e Shqipërisë kufiri në Morinë, është i hapur për serbët kufiri në Merdare, duket sikur Covidi është më ngjitës nga Shqipëria, sa nga Serbia,” ironizoi Hasimja në Euronews Albania.

    Politologu shtoi se priti për rreth dy orë të kalonte kufirin me Kosovën, por pastaj vendosi si shumë të tjerë të kthehej pas.

    “Testi i COVID dhe karantina 1-javore është gjithsesi mbyllje e kufirit,” deklaroi Hasimja, duke saktësuar se situata është absurde për personat që duhet të shkojnë në Kosovë për pak orë e të kthehen pas.

    Që prej hapjes së kufirit ditën e djeshme dhjetëra shqiptarë kanë udhëtuar drejt Kosovës, por shumë prej tyre u është dashur të presin me ore të tëra për të kaluar e të tjerë janë detyruar të kthehen.

    Situata ka qenë e paqartë, disa prej tyre kanë marrë si përgjigje nga autoritetet kufitare se ende nuk ka nisur zbatimi i vendimit për hapjen e kufijve, ndërsa të tjerëve u është thënë se kushti për të vijuar udhëtimin është paraqitja e një dokumenti që vërteton se kanë kryer analizën nëse janë të prekur nga koronavirus.

    Kjo analizë duhet të jetë kryer në 4 ditët e fundit. Kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët qe u bllokuan për orë të tëra në pikën e kalimit kufitar të Morinës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!