×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rama: Nuk jam optimist për negociatat

    Reporteri
    12 Tetor 2019 | 18:41

    Pak ditë nga samiti i Këshillit Europian ku do të diskutohet mbi hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Kryeministri Edi Rama thotë se nuk është optimist për vendimin e BE-së javën e ardhshme.


    Në një shkrim të publikuar nga gazeta irlandeze Irish Times, me titull “Shqipëria përballet me një tjetër pengesë në rrugën e gjatë drejt BE”, kreu i qeverisë lë të kuptohet se vendimi i Brukselit nuk ka të bëjë aspak me plotësimin e detyrave nga Shqipëria.

    “Nuk ka shumë për të qenë optimistë me atë që po ndodh sot në Evropë. Unë jam optimist për të ardhmen e vendit, por jo për atë që do të ndodhë javën e ardhshme. Kur ka bomba diku dhe një kopsht goditet, ne jemi kopshti”.

    Duke u ndalur te Reforma në Drejtësi dhe pastrimi i sistemit nga të korruptuarit, kreu i qeverisë thotë se vettingu ka patur nxitjen pa rezerva të BE-së dhe se vonesat në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të pengojnë këtë frazë të procesit.

    “Ne nuk po kërkojmë të jemi anëtarë të BE javën tjetër. Ne e dimë se nuk mund ta bëjmë atë pa një Gjykatë Kushtetuese. Ne po kërkojmë të fillojnë bisedimet e pranimit, që mund të vazhdojë mbase 10 vjet. Pra, atëherë na gjykoni. Pas 10 vitesh do të jetë një vend tjetër dhe do të kemi një shtet që funksionon krejtësisht ndryshe. Unë jam shumë i sigurt për këtë”.

    Për Irish Times ka folur edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili shpreson që negociatat të hapen, por akuzon qeverinë se ka minuar dhe abuzuar me Reformën në Drejtësi.

    “Shqipëria është ndoshta vendi i parë në historinë moderne pa një gjykatë të lartë, pa një gjykatë kushtetuese, pa një prokuror të përgjithshëm, me një parlament me vende të paplotësuara dhe një kryeministër që qeveris me dekrete pa asnjë limit institucional për pushtetin e tij. Një numër i çështjeve të nivelit të lartë të korrupsionit janë anashkaluar nën ndikimin e qeverisë, duke siguruar pandëshkueshmëri për të akuzuarit”.

    Javën e ardhshme në Bruksel vendet anëtare pritet të marrin një vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Holanda dhe Franca ende nuk kanë vendosur nëse dy vendeve të Ballkanit do u jepet mundësia e çeljes së negociatave./tv klan/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!