×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rama reagon pas letrës së ambasadës franceze: Nuk sulmova asnjë aleat, deklaratës për vaksinat i qëndroj

    Reporteri
    17 Janar 2021 | 15:46

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Facebook pas letrës së ambasadës franceze kundër deklaratës së kreut të qeverisë shqiptare se Ballkani është lënë pas dorë nga BE për çështjen e vaksinës.


    Rama i kthen përgjigje një qytetari dhe shkruan se nuk e ka sulmuar Francën dhe se nuk i heq asnjë presje asaj që deklaroi në lidhje me këtë çështje.

    Postimi i plotë i Kryeministrit Rama:

    Unë nuk kam sulmuar asnjë aleat dhe aq më pak Francën në rastin konkret! As nuk e kam harruar dhe nuk e harroj që Bashkimi Europian e ka ndihmuar Shqipërinë, qyshse vendi ynë doli nga burgu i diktaturës e deri më sot. Përkundrazi, e kam çmuar dhe e çmoj pa lëkundje Bashkimin Europian, për njëmijë e një arsye, përfshirë pa dyshim edhe ndihmën e paçmuar që i jep Shqipërisë tash 30 vjet.

    Unë kam folur për një çështje konkrete në një situatë konkrete, lidhur me vaksinën dhe nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë! Lënia jashtë e vendeve të rajonit tonë në shpërndarjen e vaksinës kundër Covidit nga ana e BE, nuk ka asnjë justifikim në asnjë plan dhe këtë e kupton çdo kush që bën sikur s’kupton!

    Lexo edhe:
    Ambasada franceze reagon ndaj Ramës: Kryeministri dha informacion të pavërtetë
    Ndërsa ankesa e ambasadës franceze, meqe unë e ilustrova opinionin tim, duke sjellë shembullin e Francës (siç mund të sillja edhe shembuj të tjerë), është pa lidhje me qëndrimin tim dhe konkretisht edhe me sjelljen e shembullit të Francës, për të ilustruar idenë se nuk kishte pse të mos i jepeshin edhe vendeve tona disa doza për mjekët të paktën, kur ato s’mund të përdoren të tëra menjëherë në asnje vend të BE!

    Franca, është jo vetem një nga vendet më të mrekullueshme të botës e me të përparuara të Europës në çdo drejtim, as thjesht një vend mik e aleat i Shqipërisë, po edhe një vend i veçantë në zemrën e në mendjen time, ashtu sikundër ëeshtë edhe BE-ja, një amanet e një destinacion i patjetërsueshëm i Shqipërisë e shqiptarëve.

    Ankesa e ambasades franceze nuk ndryshon asgjë në asnjë drejtim, ashtu siç e drejta për të menduar ndryshe, vlen si gjithnjë njësoj, si për Francën, edhe për Shqipërinë në këtë rast; si për hartuesit e ankesës në emër të Francës, si për mua që flas në emër të Shqipërisë.

    Por ty te them miqësisht, se duke e nxjerrë nga konteksti ankesën e ambasadës franceze, gabon njësoj siç gaboi ambasada franceze, duke nxjerrë nga konteksti ato që thashë! Madje në fakt gabon edhe më keq, sepse flet jo vetëm pa lidhje me ankesën konkretisht, po edhe thua gjëra pa lidhje!

    Një fjale e bukur popullore thote se, miqësia e vërtetë nuk i ka të gjitha fjalet prej mjalti, kështu që as ti mos u mërzit, as ambasada s’ka pse mërzitet, se une jo e jo, çfarë nuk dëgjoj, po nuk merzitem.

    Një ditë më parë, ambasada franceze në Tiranë ka reaguar me anë të një note-proteste dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme, pas deklaratave të kryeministrit Rama, i cili në një interviste televizive ngriti pyetjen ‘pse Franca duhet të mbajë vaksina stok, e nuk do i përdorë, në vend se ato t’i ndajë me vendet e tjera’.

    Në shkresën zyrtare dërguar ministres Olta Xhaçka, ambasada franceze thotë se ky informacion nuk është i vërtetë. Teksa i quan të papërshtatshme sulmet ndaj një vendi “mik dhe aleat”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!