×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rikthehen tërmetet, Ormeni: Lëkundje pa pasoja, nuk kanë lidhje me ngjarjen e 26 nëntorit

    Reporteri
    25 Shtator 2020 | 15:25

    15 tërmete dhe dhjetëra pas-lëkundje kanë ndodhur brenda pak ditëve në zonën e Cërrikut dhe Belshit. Specialistët i cilësojnë tërmete të vegjël, deri tani pa pasoja, por që po ndodhin në një zonë të njohur për aktivitet sizmik.


    “Cërrik-Belsh bën pjesë në një thyerje aktive që është Lushnje-Elbasan-Dibër. I pari ishte me magnitudë 4.5 i shkallës rihter, me epiqendër në veriperëndim të Cërrikut, ndërsa i djeshmi në Belsh. Ne i quajmë tërmete të vegjël dhe pa pasoja”, shprehet sizmologu Rrapo Ormeni.

    Lëkundjet në zonën e Cërrikut dhe Belshit kanë rikthyer shqetësimin dhe frikën te qytetarët në vend. Sizmologu Rrapo Ormeni sqaron se lëkundjet e ditëve të fundit nuk kanë lidhje me tërmetin tragjik të një viti më parë.

    “Janë një grumbull tërmetesh që nuk kanë lidhje me ngjarjen sizmike të një viti më parë. Lëkundjet e 26 nëntorit bëjnë pjesë në zonën Adriatike. Nga ecuria e pasgoditjeve të tërmetit të 26 nëntorit ecuria e tyre thuajse ka rënë fare”, shprehet për A2 sizmologu.

    Për sa kohë këto dukuri nuk mund të parashikohen, sizmologët këshillojnë qytetarët për sjelljen në rast tërmeti.

    “Menjëherë pas tërmetit të parë duhet të dilet jashtë për 30 minuta deri 1 orë, për të parë si do të jenë pasgoditjet”.

    Një vit më parë, vendi u trondit nga dy tërmete të fuqishëm. I pari ishte në 21 shtator, ndërsa dy muaj më vonë u shënua tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Më i fuqishmi i dekadave të fundit shkaktoi 51 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra të pastrehë dhe objekte të shkatërruara.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!