×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shoqëria civile thirrje kryeministrit të tërheqë ligjin ‘Anti-shpifje’: Prano opinionin e Venecias

    Reporteri
    07 Qershor 2020 | 8:18

    Organizata të shoqërisë civile kanë përshëndetur dhe falenderuar  opinionin e ekspertëve të Komisionit Europian për Demokraci Përmes Ligjit (Komisioni i Venecias) për analizën e thellë që i bënë propozimeve shumë shqetësuese të Këshillit të Ministrave në të ashtuquajturën Paketë Antishpifje.


    Organizatat vërejnë se të gjitha shqetësimet e ngritura prej tyre që nga dhjetori i vitit 2018 kur drafti i parë u propozua nga Këshilli i Ministrave e deri më 19 dhjetor 2019, kur ndryshimet në ligje u miratuan në Kuvendin e Shqipërisë, janë konfirmuar si shqetësime madhore për lirinë e shprehjes, për demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës nga Opinioni i Venecias.

    Ato i bëjnë thirrje Kryeministrit Edi Rama si nismëtar i këtij ligji dhe maxhorancës parlamentare të pranojnë opinionin e Venecias si përfundimtar e shterues dhe rrjedhimisht, të tërheqin ligjin në fjalë.

    Siç theksohet në opinionin e Venecias “…mjetet ligjore të futura në amendimet e ligjit mund të bëjnë më shumë dëm se sa mirë në drejtim të lirisë së shprehjes në Shqipëri.”

    “Ne i bëjmë thirrje kryeministrit dhe maxhorancës socialiste të shfrytëzojnë këtë mundësi për të demonstruar se janë të gatshëm të reflektojnë publikisht mbi konceptet dhe praktikat e tyre të gabuara  mbi lirinë e shprehjes. Organizatat falënderojnë qytetarët e shumtë që mbështetën përpjekjen tonë 18 mujore në mbrojtje të lirisë së shprehjes në Shqipëri” thuhet në deklaratë.

    Ligji antishpifje është rrëzuar nga Komisioni i Venecias në pikat më të rëndësishme të tij.

    Në raportin dërguar parlamentit theksohet se fuqizimi i AMA dhe vendosja e gjobave të larta do të sjellë censurë dhe ndalim të diskutimeve të lira.

    Lista e organizatave

    BIRN Albania

    Civil Rights Defenders

    Citizens Channel

    Faktoje

    Grupi Shqiptar per te drejtat e njeriut

    Instituti Shqiptar i Medias

    Këshilli Shqiptar i Medias

    Komiteti shqiptar i Helsinkit

    Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

    Neë Media Netëork

    Qendra Res Publica

    Qendra Shqiptare MediaLook

    Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

    Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

    Shoqata e Gazetarëve Europianë të Shqipërisë

    Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!