×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Si i shpëtoi në Shqipëri burgimit të përjetshëm “Eskobari” i arrestuar në Kolumbi

    Reporteri
    21 Korrik 2021 | 15:48

    ABC mëson se si Agim Çerma, i arrestuar pak ditë më parë në Kolumbi si kreu i një grupi që merrej me trafikun e kokainës, i ka shpëtuar burgimit të përjetshëm në vendin tonë. Në dokumentin e siguruar nga ABC, thuhet se Gjykata e Elbasanit, e ka dënuar përfundimisht me 11 vite e 8 muaj burg për vrasje me dashje. Ky vendim është dhënë nga Shkalla e Parë më 25 Shkurt 2003. Çerma u shpall fajtor për vrasjen e Gëzim Liçit në Elbasan, në 1997-ën.


    Fillimisht, në ’98 ai u dënua me burgim të përjetshëm nga Shkalla e Parë e këtij rrethi, por pas arrestimit, ai nisi një kalvar të gjatë nëpër gjykata. Vendimin ai e ankimoi në Apelin e Durrësit dhe në Gjykatën e Lartë, kërkesa që iu refuzuan. Në Nëntor të 2002-it, Gjykata Kushtetuese e kaloi dosjen për rigjykim edhe një herë në Gjykatën e Elbasanit për shkak se vendimi burgim i përjetshëm ishte dhënë në mungesë.

    Vendimi i gjykatës së Elbasanit mori formë të prerë më 01 Korrik 2003 dhe Çerma ka filluar ta vuajë dënimin më datë 18 Dhjetor 2001, ditë kur është arrestuar. Këtë dënim ai e ankimoi sërish në Apelin e Durrësit dhe Gjykatën e Lartë. Të dyja këto institucione lanë në fuqi dënimin e dhënë nga Gjykata e Elbasanit. Por, kur i kishin mbetur për të vuajtur dhe rreth 1 vit e 9 muaj e 8 ditë burgim, Agim Çerma iu drejtua Gjykatës së Lezhës për të fituar lirinë para kohe. Kërkesa mban datën 21 Mars 2012. Çerma pretendonte se kishte vuajtur fizikisht më tepër se ¾ e dënimit.

    Në kërkesën e tij për liri, Agim Çerma kishte paraqitur edhe një raport mjeko ligjor, ku pasqyrohej fakti se nëna e tij, Fatime Çerma ishte e sëmurë me diabet dhe se jetonte në një banesë me qira dhe kishte një pension prej 5000 mijë lekësh. Ndërsa në një raport konfidencial thuhej se Agim Çerma kishte probleme me shëndetin, pasi vuante nga shikimi dhe se do të bëhej operim në qoftë se do i pranohej kërkesa për liri.

    Kërkesa e tij u pranua nga gjyqtarja Parashqevi Ademi më 14 Maj të 2012-ës, e cila vendosi lirimin me kusht të Çermës dhe pjesën e pa vuajtur të dënimit u urdhërua që të vihej në provë me një afat prej 3 vitesh kohë me kusht. Gjatë kësaj periudhe, Agim Çerma nuk duhej të kryente asnjë vepër penale.

    ARGUMENTET E GJYKATËS

    • Ka respektuar rregulloren dhe orarin e veprimeve
    • Ka marrëdhënie të rregullta, korrekte
    • Sjellja në marrëdhënie me të dënuarit e tjerë, me personelin, me komunitetin e me familjen është shumë e mirë
    • Nuk ka masa disiplinore
    • Periudha e vuajtjes së dënimit ia ka arritur qëllimit të edukimit e integrimit të tij në familje e shoqëri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!