×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Tirana kërkon 30 milionë euro borxh nga Qeveria për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar

    Reporteri
    29 Maj 2020 | 16:02

    Bashkia e Tiranës kërkon nga qeveria të dalë garant për të paktën 30 milionë euro kredi, në mënyrë që ajo të ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar.


    Në dokumentin e zbuluar dje nga ish-deputetja e PD, Tabaku, kreu i bashkisë, Erjon Veliaj, i kërkonte Kryeministrit të pranonte të vendoste buxhetin e shtetit si garanci për kredinë që do merrte nga Banka Europiane e Investimeve. Por letra zbulon një tjetër shifër për ndërtimin e Teatrit.

    TEATËR, 30 MILIONË EURO

    Letra është e firmosur nga Erjon Veliaj dhe i dërgohet Kryeministrit Rama, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Rindërtimit.

    Në të shkruhet: “Në zbatim të planit të përgjithshëm vendor, politikave të zhvillimit të qëndrueshëm, të shpalljes së Tiranës 100 vjet kryeqytet, si dhe në zbatim të VKM-së Nr. 377, datë 8.05.2020, për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë, me emërim ‘Teatri Kombëtar’, Bashkia Tiranë kërkon të ndërtojë Teatrin e ri mbi parcelën në pronësi të saj nr. 1/241. Referuar komunikimeve me Institucione Financiare Ndërkombëtare (IFI), Banka Europiane e Investimeve (BEI), ka shprehur gatishmërinë e saj për të financuar projektin e Teatrit të ri, me kushte financiare shumë të favorshme. Nga projekti paraprak, kostoja e përgjithshme për ndërtimin e projektit parashikohet të jetë rreth 30 mln euro. Në vijim të procedurave të aplikimit pranë Bankës Europiane të Investimeve, lutemi të merrni në konsideratë kërkesën tonë për financim”.

    Duhet pritur një përgjigje nga Banka Europiane e Investimeve për mënyrën se si ka rënë dakord me Bashkinë e Tiranës për projektin e ri për një kohë rekord. Letra e Veliajt për Ramën ka datën 21 maj 2020, ndërkohë që toka e Bashkisë së Tiranës i ka kaluar më 8 maj. Duket një kohë e rrufeshme kjo për BEI, që të pranojë të financojë 30 milionë euro me kushte të favorshme.

    ÇMIME TË NDRYSHME, ME DHE PA PROJEKT

    Historia e Teatrit është e gjatë dhe plot zona të errëta, por dokumentet kanë qartësuar të paktën disa shifra. Shifra e parë është ajo e kompanisë private që mori përsipër ndërtimin e teatrit me PPP. Në dokumentet që kanë edhe votat e deputetëve të Kuvendit, thuhet se Teatri i ri do të ketë një sipërfaqe prej rreth 9 mijë metrash dhe një kosto prej 33.1 milionë euro. Ose një çmim mesatar ndërtimi prej 3250 eurosh për metër katror. Bëhet fjalë për projektin e “Bjarke Ingels Grop”.

    Por koncesioni për ndërtimin nga privati me 33 milionë euro u rrëzua, pasi gjatë negocimit, aktorët patën kërkesa shtesë. “Është kërkuar fjala vjen një skenë rotative nga më modernet, ajo që përdoret sot në Broduei, diçka që e shtoi koston e realizimit të veprës së Teatrit përtej kostos fillestare që kishte propozuar kompania”, tha Erjon Veliaj në shkurt të këtij viti, ku pohoi mbylljen pa sukses të negociatave për Teatër me PPP.

    Pra, sipas bashkisë, aktorët kërkuan një skenë që e rriste koston e Teatrit nga 33.1 milionë euro, në një shifër më të lartë. Kosto kjo, që nuk përballohej nga kompania private. Por në letrën e djeshme, kostoja e Teatrit është ulur në 30 milionë euro. Më pak se sa ofroi firma private dhe shumë e shumë më pak se sa kërkuan dy aktorët e skenave Broduei.

     

    Nga ana tjetër, drejtuesit e bashkisë kanë pranuar se projekti do të jetë i njëjtë, ai i “Bjarke Ingels Grop”. Pas dështimit të negociatave me privatin, nënkryetari i bashkisë, Arbër Mazniku, tha se do të jetë bashkia që do ta ndërtojë me para publike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!