×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Viti pandemik sjell 685 mijë vdekje shtesë në Evropë, Shqipëria me rritje të lartë

    Reporteri
    14 Prill 2021 | 19:38

    Në periudhën mars 2020 deri në fund të shkurtit 2021, në vendet e Bashkimit Evropian dhe rajonin EFTA (përjashtohet vetëm Ballkani) për të cilat ka të dhëna të disponueshme, kishte rreth 685 000 vdekje më shumë se krahasuar me numrin mesatar në vitet 2016 deri në 2019, raportoi Eurostat. Për të njëjtën periudhë në Shqipëri kishte së paku 10 mijë vdekje shtesë sipas të dhënave paraprake nga Gjendja Civile, që referojnë aktet e vdekjeve (datës së regjistrimit në regjistër të vdekjeve të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë).


    Në 12 muaj, nga prilli 2020 në mars 2021, në Shqipëri janë regjistruar rreth 32.2 mijë jetë të humbura, nga 21.7 mijë në të njëjtën periudhë 12 mujore të vitit të mëparshëm, me rritje prej rreth 48%.

    Që nga fillimi i pandemisë, në mars 2020, deri në fund të 2020-s, Shqipëria regjistroi dhe rritjen më të madhe të fataliteteve në Evropë. Sipas të dhënave të Eurostat dhe të dhënave të brendshme nga INSTAT, Shqipëria ka një diferencë rreth 30% më të lartë për shtesën e vdekshmërisë në periudhën e pandemisë me të gjithë shtetet e tjera të Evropës (vetëm të dhënat për Bosnjë Hercegovinën nuk janë ende të disponueshme).

    Sipas Eurostat në Evropë dy valët e mëdha të pandemisë, nëntor-dhjetori 2020 dhe shkurt-marsi 2021 kanë qenë fatale.

    Të dhënat për janar dhe shkurt 2021 tregojnë se vala e dytë e pandemisë COVID-19 po humb gradualisht forcën e saj dhe po tërhiqet drejt niveleve të zakonshme të vdekjeve në shumë shtete anëtare dhe vende të rajonit EFTA, me përjashtime në Çeki, Sllovaki, Bullgari, Poloni, Estoni dhe Malta.

    Të njëjtat valë kanë prekur edhe Shqipërinë. Sipas të dhënave paraprake nga Gjendja Civile, që referojnë aktet e vdekjeve (datës së regjistrimit në regjistër të vdekjeve të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë), në mars 2021 kishte rreth 3900 fatalitete në vend, me dyfishim (rritje 108%) në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shkurt 2021 u regjistruan rreth 3500 akte vdekje dhe në janar rreth 2,800.

    Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë regjistruar gjithsej 10.2 mijë vdekje, me një rritje prej 70% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ende nuk kishin filluar të ndiheshin pasojat e pandemisë (me rastin e parë që u identifikua në 9 mars 2020). Ky është tremujori më fatal, të paktën që nga viti 1990 kur raportohen të dhënat. Mesatarisht çdo ditë kanë humbur jetën gjatë kësaj periudhe 113 persona, nga 67 në tremujorin e parë 2020.

    Në vite normale, humbin jetën 21-22 mijë persona në vit, sipas INSTAT, por këtë vit vetëm në tremujorin e parë kanë ndodhur aq humbje jete, sa regjistroheshin normalisht në 6 muaj.

    Në Bashkimin Europian në BE dhe rajonin EFTA nuk bën pjesë Ballkani për vitin 2020, kishte rreth 540,000 vdekje shtesë krahasuar me mesataren në vitet 2016 deri në 2019. Në periudhën më të ekspozuar të valës së parë, nga mesi i marsit deri në mes të majit 2020, dmth javët 11 deri 21 , kishte më shumë se 175 000 vdekje shtesë, dhe midis tetorit dhe dhjetorit 2020 (nga java 41 deri në fund të vitit) kishte më shumë se 340 000 vdekje shtesë u regjistruan.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!