×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Vrasja në Durrës: Arrestohen pesë persona, në kërkim 3 të tjerë

    Reporteri
    19 Shtator 2020 | 9:50

    Policia e Durrësit ka vënë në pranga 5 persona dhe ka shpallur në kërkim tre të tjerë pas konfliktit të një dite më parë mes dy familjeve, ku ka humbur jetën një person dhe janë plagosur dy të tjerë.


    Konflikti ka ndodhur mbrëmjen e së premtes mes familjes Tatasi dhe Baboçi, ku si pasojë humbi jetën Armando Baboçi 39 vjeç, ndërsa i plagosur në spital është i biri Erald Gjini 19 vjeç, djali ka ndryshuar mbiemrin.

    Burime për Abc News bëjnë me dije se të arrestuarit në lidhje me konfliktin e një nate më parë janë Klodjan Daçi, autori i vrasjes së 39 vjeçarit, Henri dhe Sergio Tatasi të akuzuar si bashkëpuntor në vrasje, Endri Cimo (Bengu) dhe Argit Kastrioti për moskallëzim krimi.

    Gazetari Leonidha Musaj bën me dije për Abc News se konflikti ka nisur mes dy djemve të familjes Erald Gjini dhe Klodian Daçi, ku si pasojë janë qëlluar me armë zjarri babë e bir.

    Babë e bir u dërguan në spital me shpejtësi, por i ati Armando Baboçi nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve duke ndërruar jetë, ndërsa i biri ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja. Ndërkohë akoma nuk ka asnjë njoftim zyrtar në lidhje me shkaqet e konfliktit mes dy familjeve.

    Njoftimi i policisë:

    Zbardhet dhe dokumentohet në kohë rekord ngjarja e ndodhur në lagjen nr.13, Durrës, mbrëmjen e djeshme.

    Arrestohen në flagrancë 5 shtetas si dhe shpallen kërkim tre të tjerë.

    Shërbimet e Policisë Durrës, pas njoftimit se në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit të menjëhershëm e profesional si dhe gatishmërisë së shërbimeve të tjera të Drejtorisë që ishin në zbatim të të planit të masave me pika kontrolli në të gjith qytetin e Durrësit, për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, bënë të mundur, identifikimin e personave të përfshirë në konflikt, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:

    K.D., 20 vjeç, H.T., 23 vjeç dhe S.T., 20 vjeç, banues në Durrës.

    Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 18.09.2020, rreth orës 20:00, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, me mjete të forta e më pas me armë zjarri kanë mbetur të plagosur shtetasit E.Gj., 19 vjeç, H.T., 23 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve si dhe shtetasi A.B.(Gj)., 39 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në Spitalin Rajonal Durrës.

    Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë dhe shtetasit :

    E.C.(B)., 25 vjeç dhe A.K., 24 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Moskallëzim krimi”

    Gjithashtu po në vijim të veprimeve janë shpallur në kërkim policor edhe tre shtetas të tjerë ku vijon puna për kapjen e tyre.

    Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 automjete, 4 aparate celular si dhe pamje filmike në interes të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të ngjarjes.

    Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, në ngarkim të shtetasve K.D., H.T., dhe S.T., për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtje pa leje” dhe në ngarkim të shtetasve E.C.(B)., A.K., për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!