×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Zbardhen detaje të reja nga ekzekutimi i avokatit në Elbasan

    Reporteri
    07 Prill 2019 | 19:26

    Detaje të tjera janë zbuluar nga vrasja mafioze e avokatit Ravik Gurra.


    Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të rënda, autori pasi kreu ekzekutimin, u largua në këmbë pikërisht pranë një patrulle policie që ndodhej shumë pranë lokalit.

    Pranë vendngjarjes, sipas burimeve, ndodheshin edhe 2 oficerë krimesh të policisë së Elbasanit, të cilët u larguan sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

    Pasi ekzekutoi avokatin Ravik Gurra mbrëmjen e 22 marsit në qytetin e Elbasanit, atentatori i kaloi pranë patrullës së policisë. Vetëm pak metra larg lokalit në rreth rrotullimin e “1 Majit”, automjeti i rendit ishte parkuar dhe brenda ndodheshin dy efektivë.

    Personi që qëlloi ndaj Gurrës me armë zjarri pistoletë me silenciator, kaloi pikërisht në këmbë, pranë makinës së uniformave blu, pa krijuar asnjë dyshim tek punonjësit e policisë.

    Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohuan për “ABC News” se ngjitur me lokalin ku ndodhi atentati i tipit mafioz, në një ambient tjetër po “Bar-Kafe”, ishin edhe dy oficerë të krimeve të drejtorisë së policisë Elbasan, por ata u larguan sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

    Mosreagimi i dy oficerëve po verifikohet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, pranë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme. Dyshohet se vrasja e Ravik Gurrës, të jetë bërë për shkak të profesionit të 50-vjeçarit, por nuk përjashtohen as pistat e tjera nga Policia e Shtetit.

    I ndjeri ishte i njohur si avokati që mbronte personat me rekorde të theksuara kriminale, jo vetëm në qytetin e Elbasanit, por edhe në Tiranë e Durrës.

    Hetimet po kryhet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

    Pavarësisht këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë, përsëri nuk është bërë e mundur identikiti i autorit të dyshuar të vrasjes edhe pse ishte i pamaskuar.

    Menjëherë pas krimit, një automjet u gjet i djegur në periferi të Elbasanit në afërsi të fshatit Bradashesh, nga ku dyshohet se janë larguar personat e përfshirë në atentat.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!