×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Zbulohet qyteti i humbur dy mijë vjeçar në Shqipëri

    Reporteri
    11 Qershor 2019 | 19:03

    Arkeologët polakë zbuluan qytetin të Bassanias në Shqipëri, i cili u deklarua si i humbur para dy mijë vitesh.  


    Kalaja supozohet se ishte shkatërruar nga romakët në fillim të epokës së re. Deri më tani, rrënojat e saj konsideroheshin si shkëmbinj natyror, ka njoftuar ‘Science in Poland’, uebfaqe e financuar nga Ministria e Shkencës dhe i Arsimit të Lartë, në kuadër të programit “Dialog”, për vitet 2018-2019.

    Qyteti i humbur u gjet në Shqipërinë veriperëndimore, në zonën e Shkodrës së sotme. Sipas studiuesve, qyteti me gjasë të madhe është Bassania – një qytet i përshkruar nga historiani romak Livy në kontekstin e betejave të trupave romake me mbretin e fundit të Ilirisë, Gentit, transmeton lajmi.net.

    Në maj, arkeologët zbuluan vetëm një pjesë të mureve dhe portës.“Strukturat mbrojtëse janë ngritur nga blloqe guri të pajisur mirë,” tha kreu i gërmimeve të PAP, Prof. Piotr Dyczek, drejtor i Antikitetit të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore të Universitetit të Varshavës.

    Sipas Prof. Dyczek, ky lloj ndërtimi është tipik për strukturat mbrojtëse helenistike. Një datë e tillë përputhet edhe me objektet që arkeologët zbuluan pranë mureve: monedha dhe fragmente të enëve qeramike të shekullit IV-I para Krishtit.

    “Në vitet e fundit, ne kemi filluar të kontrollojmë rreth Shkodrës për vendbanime dhe fortesa që ishin baza ekonomike dhe ushtarake të rajonit. Falë përdorimit të metodave të ndryshme, duke përfshirë edhe ato jo-invazive, ne kemi vërejtur relike të një qyteti të madh antik”, përshkroi Prof. Dyczek.

    Qyteti i zbuluar kohët e fundit ishte tri herë më i madh se Shkodra Antike – gurët masiv të mureve rrethonin një sipërfaqe prej rreth 20 hektarësh.Rrënojat në kodër u larguan nga vëmendja për shkak të strukturës së saj të veçantë gjeologjike – kodra është formuar nga konglomerate dhe shkëmbinj ranorë.

    “Pas shekujve të erozionit, mbetjet e strukturave të gurit që shfaqen në sipërfaqe ngjajnë me një strukturë natyrore gjeologjike që del në sipërfaqe, në vend të strukturave të ndërthurura qëllimisht nga njeriu”, – përshkroi shkencëtari.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!