×
  • Lajme
  • Shqipëria

    “Zgjedhjet në PD më keq se mes palëve politike”, Kadilli: Unë nuk jam Luli

    Reporteri
    14 Qershor 2021 | 10:53

    Kandidati për kryetar partie në Partinë Demokratike të Shqipërisë, Fatbardh Kadilli ka dalë në një konferencë për media, një ditë pas zgjedhjeve që u zhvilluan, rezultatet paraprake të së cilave konfirmuan me diferencë të madhe Lulzim Bashën në krye të kësaj force.


    Kadilli u shpreh se shqiptarët panë një palë zgjedhje të pabarabarta dhe më keq nga ato mes rivalëve politikë, por megjithatë u shpreh se e pranon vendimin e demokratëve.

    “Jam krenar që në partinë time, jo për interesin tim, ndeza shkëndijën e garës. Më shumë se garë kjo ishte një sfidë. Kjo sfidë tregoi se opozita nuk është ekskluzivitet i askujt. Sot asnjë demokrat nuk mund të thotë se nuk kishte asnjë zgjedhje tjetër. Ata që votuan dhe ata që bojkotuan kanë dhënë mesazhe dhe kanë marrë përgjegjësinë e tyre. Falënderoj 41 mijë anëtarët që votuan. Nuk jam për të përligjur rezultatin tim. Patë pabarazi mjetesh, burimesh njerëzore dhe një kohë të shkurtër. Patë një kryetar që nuk lëshoi zyrën dhe përdori administratën e partisë.

    Patë deputetë dhe kryetar degësh që nuk mbajtën distancën e duhur dhe nuk respektuan etikën. Patë të zvogëlohej lista e anëtarëve. Figura publike nuk gjenin emrin në lista. Të gjitha këto nuk na bëjnë nder, na tregojnë të pazotë të marrim përgjegjësitë. Ofruam një garë, por jo standarde. Shqiptarët panë se brenda partisë zgjedhjet ishin shumë herë më keq se ato mes palëve politike. Unë nuk jam Luli. E pranoj këtë rezultat”, tha Kadilli. /A2news/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!