Zgjerohet harta e gripit të shpendëve në Shqipëri, zbulohen vatrat e reja

Pas 3 vatrave kryesore me grip shpendësh të tipit H5N8 të evidentuara javën e shkuar në Fushë-Krujë, Dajt dhe Bujan, harta është zgjeruar më tej sipas Ministrisë së Bujqësisë.


“Kemi prezencë të virusit në vatrave të reja, janë 7 vatra të reja, por duhet thënë që rrezja e monitorimit është rritur shumë, pikërisht për ta parandaluar. Vatrat e reja janë në Garunj, në Shijak, në Luzin e Vogël, në Suç ndërsa Bërzhita dhe Paskuqani nuk kanë pasur ngordhje në shpend, por për hir të monitorimit që ka bërë shërbim veterinar, ka rezultuar pozitiv”, është shprehur Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Tana Kika.

Drejtoresha se Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Tana Kika thotë se qytetarët duhet të respektojnë protokollet dhe kushtet se si të ruajnë shpendët, që të mos kontaminohen nga ky virus.

“Është thelbësore që këta banorë që mbajnë shpendë në mjedise të hapura, të evitojnë mundësinë e kontaktit të shpendëve me njëri-tjetrin apo me shpendët e egër, por gjithashtu dhe të minimizojnë tregtimin dhe për këtë Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural ka nxjerrë dhe një urdhër që kufizon dhe e ndalon tregtimin e shpendëve në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla. Kontakti i ngushtë, mospasja parasysh e kritereve dhe standardeve të higjienës pas prekjes së shpendëve të gjallë apo të ngordhur, patjetër që mund të përbëjë një rrezik”, është shprehur ajo.

Ministria e Bujqësisë u bën thirrje personave që rrisin shpendë, se në momentin që shohin ndonjë problematikë të tyre të njoftojnë menjehere shërbimin veterinar. /Klan