×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Zhgënjim në Bashkimin Evropian për moshapjen e negociatave me Shqipërinë

    Reporteri
    23 Qershor 2021 | 16:09

    Zyrtarë të BE-së kanë shprehur zhgënjimin e tyre për përpjekjet e dështuara për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, para përfundimit të presidencës portugeze të Bashkimit Evropian.


    Portugalia përfundon kryesimin e saj në fund të muajt qershor dhe pas saj radhën e ka Sllovenia.

    Në takimin e fundit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së në Luksemburg, presidenca portugeze ka konstatuar se nuk ekziston konsensus i nevojshëm për të miratuar kornizat negociuese për këto dy shtete kandidate, si kusht për të hapur negociatat.

    Bullgaria deri në fund nuk ka hequr dorë nga bllokada e një vendimi të tillë.

    Sekretarja shtetërore për Çështjet Evropiane në Qeverinë e Portugalisë, Ana Paula Zakaria tha pas takimit në Luksemburg se “nuk ishte e mundur të miratohen kornizat negociuese”, raporton REL.

    Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, edhe Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut, i kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të hapur negociatat.

    Por, vendimet në Këshill miratohen vetëm me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare.

    Shumë diplomatë evropianë e kanë quajtur të dëmshme për paqen dhe stabilitetin në rajon një situatë të tillë.

    Ata gjithashtu thanë se çështjet e hapura bilaterale, të cilat mund t’i ketë ndonjë shtet anëtar i BE-së me ndonjë vend të rajonit të Ballkanit, nuk duhet të përdoren për bllokimin e procesit të zgjerimit dhe nuk duhet të jenë fare pjesë e këtij procesi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!