×
  • Sport
  • Sport

    23 vjeçari që luan në Angli synon të luajë për Kosovën

    Reporteri
    11 Korrik 2019 | 20:35

    Sulmuesi Florent Bojaj nuk ia ka dalë ende të depërtojë në nivelin e lartë të futbollit anglez, por shpreson të luajë për Kosovën ndaj Anglisë.


    Në një intervistë për “itv.com” të mërkurën, Bojaj ka thënë se synim i tij tash është të sigurojë ftesë nga përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Në shtator Kosova luan në udhëtim ndaj Anglisë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”.

    “Të marr ftesë nga Kosova është prej synimeve të mia më të mëdha aktualisht”, ka thënë Bojaj. Ai në moshë të re është vendosur në Angli dhe ka luajtur për skuadra të ndryshme në ishull si Huddesfield Town, Kilmarnock, Newport County, Welling United, Walton & Hersham. Më pas vendosi të provonte veten në Bullgari te Pirin Blagoevgrad, ndërsa prej vitit të kaluar është duke luajtur për skuadrën tjetër bullgare, Etar. Bojaj ka luajtur disa ndeshje për U17 të Shqipërisë. Por 23-vjeçari ka kthyer sytë nga Kosova, shkruan sot Koha Ditore.

    “Së fundi kam marrë pasaportën e Kosovës dhe agjenti im ka folur me disa njerëz të federatës, pasi ata kanë parë disa ndeshje të mira dhe kanë thënë se do të më vëzhgojnë. 100 për qind do të luaj për Kosovën një ditë. Kur e kam parë grupin aktual të kualifikimeve, kam mbetur i shokuar. Thjesht kam dëshiruar që të luaj për Kosovën, pasi do të ishte mirë të paraqitem kundër Anglisë”, ka thënë Bojaj.

    Ai në edicionin e fundit ka luajtur 30 ndeshje në kampionatin bullgar. Ka kontribuar me pesë gola e pesë asistime. Bullgaria është një kundërshtare tjetër e Kosovës në kualifikimet për “Euro 2020”. Me të Kosova luajti dy ndeshje: në Prishtinë barazoi 1:1, kurse në Sofje fitoi 3:2.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!