×
  • Sport
  • Sport

    Agim Ademi refuzon të flas rreth kërkesës së MKRS-së për pezullimin e tij nga kreu i FFK-së

    Reporteri
    25 Janar 2023 | 20:49

    Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka refuzuar ta komentojë kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për pezullimin e tij nga kreu i federatës.

    I kontaktuar nga Gazeta Online Reporteri.net, në momentin e hapjes së telefonit dhe prezantimit të gazetarit, pas disa sekondave pa folur fare, Ademi e ka mbyllur telefonin.

    Ndërsa, Komisioni për Licencimin e Federatave sportive pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe zyrtarisht përmes një shkrese dërguar në Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës ka kërkuar nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi që ta pezullojë veprimtarinë e tij në postin e presidentit të kësaj federate.

    Tutje, bëhet e e ditur se komisioni përmes rrugëve zyrtare e ka vërtetuar që Agim Ademi është në proces gjyqësor dhe se si rezultat i kësaj FFK nuk mund të licencohet, pasi kjo do të binte ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës, me statutin e FFK-së dhe me kodin etik të FIFA, të cilin FFK është e obliguar me statut dhe ligje të Kosovës e UEFA-s dhe FIFA-s ta respektojë.

    Madje, Komisioni ka kërkuar nga Komiteti Ekzekutiv që të merr vendim për ta pezulluar Agim Ademin nga pozita e kryetarit deri në përfundim të procesit gjyqësor ndaj tij, nëse një gjë të tillë nuk e bën vet Ademi në kohë sa më të shpejtë.

    Më poshtë gjeni një pjesë të letrës së komisionit i cili e ka dërguar në FFK:

    Pas korrespondencës përkatëse në relacionin ndërmjet KVLFS-së dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, është siguruar informacioni në rrugë zyrtare përmes të cilit dëshmohet se ndaj Kryetarit të FFK-së z. Agim Aemi, është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore për vepër penale si vijon:

    “Ndaj Agim (Qazim) Ademi është duke u udhëhequr procedurë penale NR. SMIL 2019:089015 në gjykatën Themelore të Prishtinës në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal sipas Aktakuzës së prokurorisë Themelore në Prishtinë PP. Ne.642 – 18/2021, vepra penale detyrimi në bashkëkryerje dhe Ushtrimi i Ndikimit në bashkëkryerje”.

    Bazuar në Kodin Disiplinor të FIFA’s, I cili është në fuqi që nga data 3 qershor 2019, Neni 71 – kodet disiplinore të shoqatave/federatave anëtare të FIFA’s:

    “Pika 1 – Shoqatat/Federatat janë të detyruara t’I përshtatin dispozitat e tyre disiplinore me parimet e përgjithshme të këtij Kodi për të harmonizuar masat disiplinore. Neni 62, paragrafi 3 I këtij Kodi konsiderohet I detyrueshëm në garat e brendshme.

    Pika 2 – Me kërkesë të FIFA-s, shoqatat/federatat duhe t’I japin FIFA-s një kopje të rregulloreve të tyre të përditësuara.

    Pika 3 – Të gjitha shoqatat/federatat gjithashtu duhet të sigurojnë që askush të mos përfshihet në menaxhimin e klubeve ose të vetës shoqatës/federatës, që është nën ndjekje penale për veprime të padenja për një pozicion të tillë ose që është dënuar për një vepër penale në pesë vitet e fundit”, thuhet në letër.

    Pikërishtë është pika tre, ajo që e penalizon Ademin që të kryej funksionin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, pasi rezulton se ndaj tij është duke u udhëhequr procedurë penale për dy vepra penale, “detyrimi në bashkëkryerje” dhe veprën tjetër penale “ushtrimi i ndikimit në bashkëkryerje”.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!