×
  • Sport
  • Sport

    Aksionet e skuadrës së Superligës dalin në shitje

    Reporteri
    28 Maj 2020 | 15:18

    Klubet e futbollit kosovar vazhdojnë të përballen me probleme financiare.


    Ferizaj është njëra ndër klubet e Superligës së Kosovës që në këtë edicion ka hasur në probleme me financa.

    Në fillim të kampionatit te Ferizaj u afruan disa investitorë nga Anglia, në krye me ish-futbollistin e njohur të Premierligës, Brian Christopher Deane, por i cili nuk qëndroi shumë në krye të ferizajasve, duke i lënë me paga prapa edhe stafin, edhe futbollistët.

    Aksionarët nga Anglia i kanë “çuar duart” nga klubi tash e disa muaj, derisa së fundmi i kanë vendosur në shitje edhe aksionet.

    Lajmi është konfirmuar për “Zeri.info” nga drejtori i klubit, Nadir Haxhimusa. “Anglezët i kanë vendosur në shitje aksionet një javë më parë. Presim që shumë shpejt të bëhet një zgjidhje. Klubi tashmë po menaxhohet nga Mustafë Grainca”, ka thënë Nadir Haxhimusa.

    Ndryshe, ai pranon se “Ujqit” po përballet edhe me probleme financiare. “Jemi minus disa paga. Me sa i kemi bërë kalkulimet, lojtarëve u kemi mbetur borxh për këtë stinor dy paga e gjysmë apo tri. Nuk po e di më saktësi”, theksoi Haxhimusa duke konfirmuar në fund se 15 mijë eurot që Federata e Futbollit të Kosovës ua ka dhënë klubeve të Superligës, së fundmi ua kanë ndarë futbollistëve për t’i zbutur problemet me paga.

    “Edhe nga pako emergjente që na ka ndarë FFK javë më parë, edhe së fundmi 15 mijë eurot, ua kemi ndarë futbollistëve”, përfundoi Nadir Haxhimusa.

    Ferizaj që nga 18 maji i është rikthyer stërvitjeve për ta vazhduar kampionatin.

    Kjo skuadër në këtë edicion po “lufton” për ta siguruar mbijetesën në Superligë.

    Kur kanë mbetur edhe 11-të xhiro deri në fund të kampionatit, ekipi që drejtohet nga trajneri Burim Çerkini, “stacionohet” në pozitën e 10-të në tabelë me 25 pikë të mbledhura.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!