Arrestohet një person për vdekjen e futbollistit Sala

Personi i cili u arrestua dje për vrasje pa paramendim të futbollistit Emiliano Sala është piloti David Henderson, të cilit i ishte kërkuar ta drejtonte aeroplanin me të cilin udhëtoi Sala. Henderson e kishte dërguar në vend të vetes një shok të tij, David Ibbotsonin.


David Henderson, 64-vjeçar, besohej se ishte i vdekur bashkë me futbollistin e Cardiff Cityt, pasi aeroplani Piper Maliku u zhduk mbi ishujt anglezë më 21 janar të këtij viti, transmeton Gazeta Express.

Henderson, i cili vazhdimisht kishte punuar për menaxherin e futbollit, Willie McKay, ishte detyruar ta publikonte një mesazh në llogarinë e tij në Facebook qysh të nesërmen për të deklaruar se lajmet se ai ishte i vdekur nuk ishin të vërteta.

Kjo gjë krijoi huti për pak kohë, pasi që aeroplani që u rrëzua supozohej të ishte drejtuar nga pikërisht piloti Henderson. Mirëpo, ai e kishte dërguar në vend të tij pilotin David Ibbotson për këtë fluturim, i cili ishte bërë dhjetë orë para kohës që ishte planifikuar.

Më vonë u zbulua se Ibbotson nuk kishte licencë për të drejtuar aeroplanë komercialë, vetëm privatë, kështu që ai s’kishte të drejtë ta drejtonte aeroplanin me të cilin po udhëtonte Sala nga Nantes në Cardiff.

Futbollisti 28-vjeçar kishte qenë duke udhëtuar atë ditë, më 21 janar, pasi e kishte kompletuar transferimin për 15 milionë funte nga Nantesi në Cardiff City.

Aeroplani u gjet tri javë pasi ishte rrëzuar. Përderisa trupi i Salas u gjet në rrënojat e aeroplanit, piloti Ibbotson mbetet i zhdukur.

Henderson u arrestua dje nga policia e Dorsetit dhe tani është nën hetime, përkundër që është liruar nga stacioni policor. Ai u arrestua pasi që e kishte punësuar Ibbotsonin për ta drejtuar atë aeroplan, përkundër që ky i fundit nuk kishte licencë për atë fluturim.