×
  • Sport
  • Sport

    Ballkani shënon fitore dramatike në Turqi, i hapet rruga e kualifikimit tutje në Ligën e Konferencës

    Reporteri
    06 Tetor 2022 | 20:52

    Ballkani ka regjistruar fitoren e parë dhe historike në Ligën e Konferencës.

    Kampionët e Kosovës fituan në udhëtim me rezultatin 3:4. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Yeni 4 Eylul” dhe ishte e vlefshme për raundin e tretë në Grupin G.

    Vendasit ishin të parët që kaluan në epërsi, duke shënuar që në minutën e parë të ndeshjes. Fredrik Ulvestad ishte autor i golit për Sivassporin.

    Megjithatë, skuadra nga Suhareka përmbysi gjithçka në vazhdim për të shkuar në pushim me epërsi prej një goli.

    Kapiteni, Armend Thaqi, shënoi nga distanca në minutën e 20-të për të barazuar fillimisht rezultatin.

    Pas tij, ishte radha për mbrojtësin e krahut të majtë, Arbër Potokun, i cili shënoi në minutën e 31-të.

    Epërsia e skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja u thellua në pjesën e dytë, kur Meriton Korenica shënoi në minutën e 66-të.

    Skuadra turke ia doli të shënonte edhe dy golat e barazimit. Erdogan Yesilyurtit shënoi në minutat 75 dhe 90+1.

    Por, Ballkani nuk u dorëzua dhe arriti sërish të shënonte për të vulosur fitoren. Ermal Krasniqi shënoi në minutën 90+4.

    Kështu, Ballkani e mori fitoren e parë dhe tani me 4 pikë të grumbulluara renditet në pozitën e dytë në grup, aq sa ka edhe Sivasspori një pozitë më poshtë.

    Ndeshja e radhës për Ballkanin do të jetë sërish kundër Sivassporit, më 13 tetor – por, kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Express

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!