×
  • Sport
  • Sport

    Bunjaki befason për kohën kur u zgjodhën lojtarët: E dija se kishte djem të kryetarëve

    Reporteri
    08 Nëntor 2019 | 21:20

    Ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, i ka zbuluar të gjitha fazat e procesit të zgjedhjes së lojtarëve që do ta përfaqësojnë ekipin kombëtar të Kosovës, duke bërë të ditur se kishte qenë i vetëdijshëm që fillimisht do të vinin lojtarë që janë djem të kryetarëve të klubeve ose diçka e tillë.


    Albert Bunjaki e mbajti pozitën e trajnerit të Kosovës nga  janari i vitit 2009 deri më tetor të vitit 2017, megjithatë rolin më të madh në skuadër e pati pas vitit 2016 kur Kosova u bë pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s.

    Kur filloi procesi me disa faza i seleksionimit të Kombëtares së Kosovës, Bunjaki kishte qenë i vetëdijshëm se disa lojtarë do të dërgoheshin nga klubet për shkak të lidhjes së tyre.

    “Një ndër punët e para që e kam bërë kur kam ardhur nuk ka qenë Kombëtarja A, e kemi bërë një kamp U-15. Është një model ku unë kam pasur mundësi të jem edhe si trajner, por edhe si skaut”, ka thënë Bunjaki në emision sportiv në T7, “Favorit”.

    “Është marrë modeli i Suedisë dhe i është përshtatur modelit të Kosovës. Ky seleksionim mendoj se ka qenë njëri ndër projektet më të qëlluara që bëhet në Kosovë sepse jam munduar t’i largohem seleksionimeve spontane dhe të ketë seleksionime profesionale prej fillimit”.

    “Janë bërë katër seleksionime për një grup-moshë. Së pari fillon seleksionimi i klubeve, domethënë çdo klubi i Kosovës 2-3 lojtarë 14 apo 15-vjeçarë në vitet 2009-2010. Klubet vetë i kanë zgjedhur lojtarët. Unë e kam ditur se prej atyre tre lojtarëve, një do të jetë djali i një kryetari apo dikujt, një do të jetë dikush që s’mund ta largojnë dhe një për të cilin ata s’ishin të sigurt”.

    “E kemi ditur këtë. Tash këta lojtarë janë grumbulluar në seleksionimin regjional. Regjionet i kanë zgjedhur trajnerët dhe është krijuar ajo përfaqësuesja e regjioneve. Ata kanë punuar në mënyrë intensive për seleksionimin tjetër, ku janë grumbulluar 18 lojtarë që janë vendosur në Qendrën e Studentëve në Prishtinë”.

    “Pastaj vjen pjesa më kryesore, seleksionimi i tretë, ku unë dhe i gjithë stafi i kemi vlerësuar lojtarët me nota për aftësitë e shfaqura në fushën e lojës”.

    Bunjaki gjithashtu sqaroi se, ai fillimisht e kishte formuar grupin me lojtarë vendorë, megjithatë ata më pas mbetën prapa shkaku i fazës së konkurrencës, ku theksoi se s’kishte mundësi të largonte lojtarë si Arbër Zenelin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!