Dikur ishte yll i Superligës, ndërsa sot punon si taksistë

Vite më parë konsiderohej njëri ndër supertalentet e futbollit kosovar. Në vitin 2003 me vetëm 16 pranvera debutoi për ekipin më të madh në Kosovë – Prishtinën, që asokohe drejtohej nga Ajet Shosholli.


Sigurisht se loja e tij në mesfushë ra në sy edhe të Përfaqësueses së Kosovës U17, e cila ia rezervoi një vend. Në vitin 2004 fitoi çmimin “Shpresa e Vitit” nga Federata e Futbollit e Kosovës, derisa mori pjesë tri herë në turnetë e “Montheyt” në Zvicër me Prishtinën, si dhe “Dana Cup” (Danimarkë) me Përfaqësuesen e Kosovës.

Nëse mendoni se është plakur gaboheni, pasi sot është vetëm 27-vjeçar, por që jeta e tij mori një kahe tjetër. Fjala është për Labinot Halitin. “Si fëmijë, jo tani në këtë moshë 31-vjeçare, kam ëndërruar të luaj në ndonjë kampionat të fortë në Evropë, por sot më duhet të punoj si taksist. Të them të vërtetën, as në ëndërr nuk e kam parë këtë punë, por realiteti është diçka tjetër. Nuk pata zgjidhje tjetër”, ka thënë në një rrëfim për gazetën “Zëri” Labinot Haliti.

Përveç Prishtinës, ai ka luajtur edhe për Hysin (klub që tashmë është shuar), për Fushë Kosovën dhe për Gjilanin. “Me Prishtinën i kam kujtimet më të mira, pasi këtu e kam kaluar kohën më të mirë. Ka qenë përvojë e jashtëzakonshme, të cilën nuk do ta harroj kurrë”, deklaroi ndër të tjera Labinot Haliti.

Më shumë fiton si taksist sesa si futbollist

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar ndër të tjera deklaron se më shumë po fiton si taksist sesa ka fituar si futbollist në kohën kur ka luajtur futboll. “Të them të drejtën më shumë jam duke fituar si taksist sesa si futbollist. Jeta ndonjëherë di të dërgojë në rrugë të ndryshme”, pohoi Haliti.

Ai ndër të tjera zbulon se si taksist ka shumë klientë të tij, që tashmë merrem me futboll. “Kam shumë shokë, madje edhe klientë. Ka edhe njerëz të zakonshëm, të cilët kur futen në taksi më njohin dhe më pyesin se nga këtu”, potencoi Labinot Haliti.

Dëshpërimi me futbollin kosovar

Ai mbetet tejet i dëshpëruar me realitetin e futbollit në Kosovë. Thotë se nuk ka kushte për t’u zhvilluar si futbollist. “Futbolli ka qenë dhe mbetet pasioni im. E dua atë lojë, më së miri ndihem duke luajtur futboll. Kam punuar dhe jam munduar shumë, mirëpo në vendin tonë është vështirë të arrish diçka, thjesht nuk mbijeton nga futbolli. Vite më parë kam qenë kandidat edhe për Kombëtaren e Shqipërisë U21, ku FSHF-ja i kërkoi dokumentacionin tim, por që një gjë e tillë mbeti në harresë. Më mirë për këtë punë është të pyetet Federata e Kosovës”, shtoi ai.

Sa i përket futbollit në Kosovë, lojtari i njohur si “Presheva”, i ka fituar të gjithë titujt e mundshëm. Tre tituj kampioni me Prishtinën, Kupën e Kosovës, si dhe trofeun e Superkupës. “Titujt më kanë sjellë kënaqësi, por sot nuk kanë shumë rëndësi për mua”, vlerësoi Haliti.

A do të rikthehet?

Ëndrra e Labinot Halitit tashmë është shuar. Ëndrra e tij ishte që të bënte karrierë në Evropë. “Realisht nuk po mundem pa futboll. Ndoshta një ditë do të kthehem, por jo si futbollist. Por ëndrra e fëmijërisë për të bërë karrierë në ndonjë ligë të fortë evropiane tashmë është shuar”, përfundoi Labinot Haliti.