FFK-ja e kënaqur me ecurinë e Superligës, ka një mesazh për klubet

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) thotë se është e kënaqur me ecurinë e deritanishme të garës në Ipko Superligën, pavarësisht akuzave të shpeshta që u janë bërë nga klubet, si dhe u bën thirrje klubeve për paraqitje sportive në tri xhirot e mbetura të sezonit 2019/20.


Në një mbledhje të mbajtur të martën, nën udhëheqjen e presidentit të FFK-së, Komiteti Ekzekutiv diskutoi për rrjedhën e kampionatit në të cilën beson se nuk kanë ndikuar pakënaqësitë dhe kritikat.

Disa pre klubeve në ligën elitare nuk janë kursyer në ankesa dhe akuza të rënda ndaj referimit dhe FFK-së këtë sezon, me Prishtinën që madje kërcënoi para një jave se do të tërhiqej nga garat pas humbjes kundër Gjilanit.

Klubi më i madh kosovar e akuzoi gjyqtarin dhe komisionin që e kishte caktuar atë për referim se ia humbi ndeshjen dhe praktikisht e la jashtë gare për titull.

“KE analizoi dhe shqyrtoi rrjedhën e garave duke konstatuar se deri më tash kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në përmbyllje të garave në Ipko Superligë, garat kanë rrjedhë të mirë me gjithë disa kritika e pakënaqësi të shprehura, por që në përgjithësi nuk kanë ndikuar në gara”, shkruhet në njoftimin e FFK-së.

Tutje në njoftim thuhet: “KE kërkon nga organet relevante të garave, vëzhguesit, gjyqtarët, kontrollorët dhe Komisonet të rrisin edhe më tutje vigjilencën në punën e tyre sikur që kërkon edhe nga klubet një angazhim që xhirot e mbetura dhe garat të përfundojnë në mënyrë sportive”.

Tri javët në vazhdim pritet të jenë shumë të nxehta për shkak të një gare të ngushtë për titull, e cila pritet të përcaktohet pikërisht në duele të drejtpërdrejta mes kandidatëve për titull.

Të shtunën, liderja Drita përballet me Gjilanin, rivalin e qytetit që renditet në vendin e tretë më katër pikë më pak, e pastaj me vendin e dytë, Ballkanin në javën e fundit më 26 korrik.