×
  • Sport
  • Sport

    FFK-ja vazhdon të mbrojë kompaninë që zhgënjeu mijëra kosovarë

    Reporteri
    13 Nëntor 2019 | 10:52

    “Mjaft pritet në rend, siguro biletën në mënyrë efikase për të gjitha llojet e organizimeve”. Ky është mesazhi në faqen “tiks app”, përmes së cilës bëhet shitja edhe e biletave për ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës në futboll.


    Dhe si shumë herë deri më tash, për tifozët e përfaqësueses ky mesazh është parë edhe si ironik, meqë vetëm qasja në këtë faqe ishte problem gjatë ditës së martë, e blerja e biletës për ndeshjen e 17 nëntorit në Prishtinë: Kosovë – Angli, edhe më problem.

    Faqja ka rënë nga sistemi ende pa nisur shitja e biletave, që ishte caktuar për orën 16:00. Tifozë të shumtë, përmes rrjeteve sociale, kanë shkruar e kritikuar për këtë mënyrë të shitjes së biletave.

    Ndërkohë në Federatën e Futbollit të Kosovës vazhdojnë ta mbrojnë këtë mënyrë. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë për gazetën se kjo është mënyra më e mirë e shitjes dhe se një gjë e tillë përdoret kudo në botë. Sipas tij, kërkesa e madhe e tifozëve kosovarë për bileta ka bërë që faqja të mos hapet.

    FFK-ja dhe vetë kompania nuk kanë dhënë informacione nëse janë shitur të gjitha biletat, por në rastet kur është hapur faqja e parë sistemi ka treguar se kanë mbetur fare pak bileta në pjesë të caktuara të tribunave. Më tutje ka qenë e pamundur të procedohet për blerje të biletave.

    Për ndeshje të kaluara ndaj rivalëve shumë më të vegjël se Anglia, ishte raportuar se ishin mbi 200 mijë kërkesa.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!