×
  • Sport
  • Sport

    Historia e jashtëzakonshme e lojtarit të Dritës: Punonte si kamarier në moshën 17 vjeçare ndërsa tani është yll futbolli

    Reporteri
    03 Dhjetor 2020 | 17:22

    Kur është në ditën e tij më të mirë Xhevdet Shabani thjesht është i pandalshëm.


    Mesfushori sulmues i Dritës tash e disa vite me shumë sukses i mbron ngjyrat e klubit nga Anamorava.

    Drita në vitet e fundit është rikthyer ne një nga klubet më kërkuese sa u përket trofeve e një nga më meritorët për sukseset e “bardhekaltërve” është pikërisht Xhevdet Shabani.

    Fillimi i karrierës së tij është unik, teksa ai zbulon gjithçka për “Zeri.info”.

    “Fillimisht futbollin e kisha vetëm hobi dhe luaja vetëm futboll të vogël. Një herë e ndjeka një ndeshje të Lepencit në Kaçanik dhe aty u motivova që të vazhdoj edhe unë me futboll të madh. Kjo ndodhi pasi e përfundova shkollën e mesme kur isha 18-vjeçar”, u shpreh fillimisht anësori këmbëshpejtë i Dritës, Xhevdet Shabani.

    Lojtari i njohur si “Rrapa” që në moshën 17-vjeçare kishte filluar të punonte si kamerier për ta mbajtur familjen.

    Kaçanikasi si kamerier ka punuar për rreth katër vjet.

    Vlerëson se në rast se do të merrej vetëm me futboll nga mosha e re, do të ishte një nivel tjetër.

    “Nëse do të merresha vetëm me futboll që nga mosha më e re, besoj se do të arrija suksese më të mëdha dhe do të isha në ndonjë nivel tjetër”, pohoi Shabani.

    “Drita më e fortë se vitin e kaluar, Ballkani dhe Prishtina rivalët kryesorë për titull”

    Në këtë edicion Drita si synim e ka mbrojtjen e titullit dhe për këtë është në rrugë të mirë nën udhëheqjen e trajnerit Ardian Nuhiu.

    Xhevdet Shabani e komenton formën e tij.

    “Këtë edicion po ndihem shumë mirë. Mendoj se kam arritur të vij te forma ime dhe po e ndihmoj ekipin ndeshje pas ndeshjeje. Megjithatë, mendoj se unë dhe skuadra jonë mund të japim edhe më tepër në vazhdim”, vazhdoi kaçanikasi.

    I pyetur se a është Drita më e mirë këtë edicion se sezonin e kaluar kur u shpall kampion i Superligës, Shabani ka pohuar një gjë të tillë, duke i komentuar edhe rivalët për titull.

    “Mendoj se forca e ekipit vetëm sa është shtuar në krahasim me vitin e kaluar. Janë larguar pak futbollistë, kurse janë transferuar disa të tjerë, që me të vërtetë kanë kualitete. Këtë edicion do të jenë tri ose katër skuadra në luftë për titullin e kampionit. Por unë si rivali kryesor i shikoj Ballkanin dhe Prishtinën”, theksoi Shabani.

    Titulli më i ëmbël

    34-vjeçari, i cili në karrierë ka “grabitur” shumë trofe, ka treguar se cili është titulli më i ëmbël.

    “Titulli më i ëmbël për mua pa dyshim është titulli i parë kampion me skuadrën e Dritës (2018), sepse përjetova emocionet dhe gëzimet e paharrueshme nga tifozët që kishin organizuar për të na pritur neve lojtarëve. Ishte një festë e jashtëzakonshme mbrëmjen e 20 majit 2018”, potencoi lojtari më i mirë në Kosovë për atë vit i shpallur nga Federata e Futbollit e Kosovës.

    Shabani titullin e ka fituar me Dritën edhe në edicionin e fundit, si dhe Superkupën e Kosovës në vitin 2018.

    Një titull e ka fituar edhe me Feronikelin në vitin 2015.

    Çka pas përfundimit të karrierës, në ndonjë pozitë te Drita apo në Francë?

    “Idhulli” i tifozerisë së Dritës “Intelektualëve” nuk e ka fshehur dëshirën që “këpucët në gozhdë t’i varë” te Drita.

    “Qyteti i Gjilanit më është bërë si shtëpi e dytë. Vitet më të mira i kam kaluar këtu me Dritën dhe ndihem krenar që kam arritur suksese të mëdha këtu, si dhe kam fituar respekt në publikun e gjerë. Tani për tani kam kontratë me klubin edhe këtë sezon. Dëshira ime është që ta përfundoj karrierën këtu, sepse unë ndihem mirë këtu. Por gjithçka varet nga ajo se çfarë do të ofrojmë unë dhe klubi në vazhdim”, theksoi “Xhevda”.

    Për fund futbollisti ka thënë se pas përfundimit të karrierës si lojtar, dëshira e tij është të mbetet prapë në futboll dhe pikërisht te Drita.

    Në rast se kjo nuk ndodh, ai ka treguar opsionin tjetër të tij.

    “Unë ende nuk kam vendosur konkretisht se me çfarë do të merrem pas futbollit. Dëshira ime është që në të ardhmen do të mundë të kontribuojë në klubin e Dritës me ndonjë pozitë tjetër. Mirëpo opsion tjetër është që të vazhdojë jetën në Francë, atje ku kam një pjesë të familjes. Do të varet shumë se si do të shkojnë gjërat”, përfundoi Xhevdet Shabani.

    Shabani është shënuesi më i mirë nga futbollistët kosovarë në garat evropaine. Në shtatë ndeshje ka realizuar katër gola.

    Futbollisti në fjalë, krahas Dritës, në të kaluarën e tij ka mbrojtur ngjyrat e Lepencit të Kaçanikut, Ferizajt, Teutës në Durrës, Feronikelit e Besës së Pejës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!