×
  • Sport
  • Sport

    Ka idoll Rashicën dhe vlerësohet lartë në Zvicër, njihuni me yllin kosovar që e pret një e ardhme e ndritur në futboll

    Reporteri
    11 Korrik 2020 | 18:55

    Leonardo Uka është futbollisti kosovar që po shkëlqen tek të rinjët e Grasshoppers Zurich


    Jemi mësuar të dëgjojmë futbollistët kosovarë duke idollizuar lojtarët si Messi e Ronaldo, por me krijimin e Kombëtares së Kosovës këto gjëra kanë ndryshuar tani, shkruan Reporteri.net

    Tani kemi lojtarë që marrin si shembull yjet e Kosovës për karrierën e tyre.

    Njëri nga ta është edhe Leonardo Uka me prejardhje Gjakova, por që ka lindur dhe është rritur në Zvicër.

    Ai ka filluar të merret me futboll në moshën 8 vjeçare ku iu bashkua FC Uznach.

    Uka tani 19 vjeçar është pjesë e skuadrës U-21 të Grasshoppers Zurich dhe vlerësohet në Zvicër si njëri nga lojtarët më me perspektivë.

    Ylli kosovar ka shkëlqyer në edicionin e fundit duke shënuar 9 gola dhe ka dhuruar 8 asiste për skuadrën e tij.

    “Kam pasur një sezon të mirë te Grasshoppers ku kam realizuar 9 gola dhe kam dhuruar 8 asiste. Klubi im i prefuruar është Liverpooli dhe do të ishte një ëndërr për mua nëse do të arrija të luaja për ta,” ka thënë Uka për Reporterin.

    Uka ka qenë pjesë e Kombëtares U-17 të Kosovës dhe tani luan te U-19, derisa një ditë ëndërron ta veshë edhe fanellën e Kombëtares A të Kosovës dhe pse jo të luajë përkrahë Rashicës, të cilin e ka edhe idoll.

    “Kam luajtur me grupmoshat e Kosovës dhe kam qenë shumë i lumtur. Unë do të punoj fortë në të ardhmen dhe do të ishte një ndjenjë fantastike nëse do të luaja edhe në Kombëtaren A të Kosovës. Do ta jap maksimumin për të arritur këtë qëllim,”.

    Ai te Kosova e pëlqen shumë Milot Rashicën dhe shpreson që në të ardhmen të luajnë së bashku në Kombëtare.

    “Milot Rashica është i preferuari im te Kosova. Më pëlqen se si luan dhe karriera që ka zhvilluar,”.

    E përbashkëta e këtyre dyve është numri. Uka bartë fanellën me numër 7 të Grasshoppers, të njëjtin numër që Rashica e ka te Kosova dhe në klubin e tij aktual, Werder Bremen.

    Kosova e ka një ‘raketë’ nga Vushtrria, por të ardhmen mund ta kemi edhe një nga Gjakova. Leonardo vlerësohet shumë në Zvicër dhe në të ardhmen mund ta shohim atë duke luajtur në ndonjë klub të madh evropian.

    Në videon e mëposhtme mund t’i shihni disa nga golat dhe asistet e Leonardo Ukës. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!