Kosova e pret sot Spanjën në Prishtinë, shtetin i cili madje ngurron t’ia përmendë emrin

Kosova do të kërkojë t’ia koklavitë sa më shumë punët Spanjës për kualifikim direkt në Kupën e Botës, kur të përballet me të sot në Prishtinë në një ndeshje kualifikuese të Grupit B.


Kombëtarja e Kosovës e pret Spanjën – shtetin iberik i cili madje ngurron t’ia përmendë emrin asaj – sonte në orën 20:45 në Stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet, për ndeshjen e Grupit B kualifikues për Botërorin 2022.

Spanja është njëra prej tri kombëtareve në grupin e verdhekaltërve, bashkë me Greqinë dhe Gjeorgjinë, që s’e njohin pavarësinë e Kosovës. Për më tepër vendi iberik është kundërshtar i zëshëm i pavarësisë se shtetit më të ri evropian, kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.

Federata e Futbollit e Spanjës dhe disa media atje e kanë mënjanuar përmendjen e emrit “Kosovë”, kur kanë folur apo shkruar për Kombëtaren e Kosovës. Në takimin e parë mes Spanjës dhe Kosovës në Sevillë në mars, të cilën ekipi dardan e humbi 3:1, federata spanjolle shkoi aq larg saqë e quajti Kosovën “territor”.

Edhe tani para takimit të dytë në Prishtinë, spanjollët janë mundur ta shmangin sa më shumë përmendjen e emrit “Kosovë”.

Derisa Kosova i është pothuajse e pashpresë dhe pa gjasa për ta siguruar pjesëmarrjen në një turne të madh për herë të parë në historinë e vet, Spanja është lidere e Grupit B dhe synon të kualifikohet direkt në Katar 2022.

Spanja i ka 10 pikë në vendin e parë, një më shumë se Suedia në vendin e dytë, por i ka zhvilluar dy ndeshje më shumë se kjo e fundit. Prandaj, vendi i parë në grup nuk është i sigurt për furinë e kuqe.

Kosova, nga ana e saj, renditet e treta me vetëm katër pikë, pothuajse pa shpresa për kualifikim. Vendi i parë shkon direkt në Katar 2022, ndërsa vendi i dytë luan në play-off.

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, e lartësoi Kosovën, duke thënë se ajo meriton më shumë pikë seç ka dhe se do t’ia bëjë të vështirë punën ekipit të tij.

“Nesër do të jetë njëra prej ndeshjeve më të vështira të këtij grupi. Më pëlqen sesi luan Kosova. Ajo meriton shumë më shumë pikë sesa ka tani. Është ekip që ta koklavitë jetën”, ishte thënë Enrique.

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, paralajmëroi lojë mbrojtëse, duke u arsyetuar në cilësitë e mëdha që i zotëron Spanja.

“Është shumë e vështirë për këdo të luajë ndaj Spanjës. E kemi parë në ndeshjen e fundit, posedimin e topit, rastet, por në fund, Suedia fitoi. Ndaj Spanjës ne duhet te mbrohemi, por jo vetëm Kosova, edhe ekipet tjera. Te them se do të fitojmë ndaj Spanjës, është e vështirë të thuash, por edhe të thuash se është e pamundur është budallallëk”, tha Challandes.

Kjo do të jetë ndeshja e fundit për Kosovën në shtator. Dardanët do t’i zhvillojnë edhe tri ndeshje deri në përfundim të fushatës kualifikuese, kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë në tetor dhe ndaj Greqisë në nëntor. /Gazeta Express/