Kosovare Asllani ka ndryshuar pozitën dhe tani është e pandalshme te Real Madridi

Kosovare Asllani është e pandalshme në këtë edicion të kampionatit të Spanjës në futboll. Në tetë ndeshje ka shënuar tetë gola për Real Madridin.


Ekipi i Realit është formuar këtë verë, ndërsa edicionin e nisi me humbjen 4:0 nga Barcelona. Por më pas ekipi madrilen është ringjallur, kryesisht falë Kosovare Asllanit, reprezentueses së Suedisë.

Ajo ishte e pagabueshme para portës kundërshtare. Ka shënuar tetë gola deri më tani. Ka katër gola më shumë se realizatorja e dytë më e mirë, Ludmila da Silva e Atletico Madridit.

“Jam ndier shumë mirë dhe më është dashur të luaj më shumë përpara. Ne kemi shumë lojtare spanjolle që e duan topin në pronësi e që luajnë në mesfushë. Më është dashur të përshtat pozitën time pak. Më është dashur të bëj lëvizje para në fushë. Kjo i duhet ekipit nga unë aktualisht. Kështu që jam përshtatur me kërkesës, pasi unë mund të luaj në të gjitha pozitat”, ka thënë Kosovare Asllani të enjten për “svt.se”.

“E kam futur në kokë se duhet të shënoj më shumë gola. Kjo po më ndihmon në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam munduar të mendoj për shënimin e golave dhe ta fus këtë në kokën time. Tani jam në situatë ku duhet të shënoj sa më shumë dhe për fat po ecën mirë”, ka shtuar Asllani, që luan në shumë pozita në repartin ofansiv.

Pas tetë xhirove, Real Madridi është në vend të katërt.

“Kemi pasur start shumë të mirë. Gjërat po ecin mirë për skuadrën dhe për mua po ashtu. Ne po fitojmë ndeshje, jemi në gjendje të mirë. Duhet të jemi të durueshme, por nuk ka asgjë më mirë se të fitosh. Në verë kemi marrë tetë apo nëntë lojtare të reja. Duhet kohë më e gjatë për të ndërtuar një ekip. Qartë, se mund të luajmë më mirë. Ka detaje që mund t’i bëjmë më mirë, për të ngritur nivelin. Por ne kemi fituar ndeshje dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka theksuar Asllani.

Ajo ka luajtur në top-skuadra në SHBA, Suedi, Francë e Angli. Tani po shkruan histori me Real Madridin. Me Suedinë, Asllani synim parësor tani e ka suksesin në Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm.