×
  • Sport
  • Sport

    Man United e shkatërron Romën, dështon Arsenali kundër Villarreal

    Reporteri
    29 Prill 2021 | 22:59

    Manchester United që tani ka nisur të mendojë për finale, pas fitores 6-2 në shtëpi ndaj Romës. Në ndeshjen tjetër, Arsenali është mundur 2-1 në Spanjë, por të besuarit e Artetës shënuan golin me shumë vlerë, atë si mysafirë.


    Janë mbyllur të dy sfidat e para gjysmëfinale në Europa League. Manchester Unitedi ka treguar dhëmbët duke e mundur 6-2 në shtëpi Romën, raporton Gazeta Express.

    United e nisi mirë ndeshjen, Fernandes shënoi për 1-0 në minutën e 9’.

    Roma më pas i shokoi vendasit duke përmbysur gjithçka me golat e Pellegrinit dhe Dzekos në minutat 15’ dhe 34’ për rezultatin e pjesës së parë 1-2.

    Por, “Djajtë e Kuq” duket se dëgjuan me vëmendje këshillat e Ole Gunar Solskajer në pushim të pjesës së parë, pasi në atë të dytë doli në fushë një skuadër tjetër, duke përmbysur gjithçka dhe duke realizuar katër gola.

    Fillimisht shënoi dy gola Edi Cavani, në minutat 48’ për 2-2 dhe në atë të 64’ për 3-2.

    Më pas, realizuan edhe Pogba, Fernandes e Greewod.

    Fillimisht, Bruno Fernandes ka arritur që të realizojë për 4-2 nga penalltia në minutën e 71-të.

    Pak minuta më vonë, për ta shokuar Romën, shënoi edhe Paul Pogba, derisa për 6-2 realizoi në atë të 86’ talenti, Greewood, duke bërë një hap të madh drejt finales së Europa League.

    Sfida e kthimit do të zhvillohet javën tjetër në “Olimpico”, por rezultati i sotëm lë shumë pak vend për ndonjë befasi në Itali.

    Villarreal 2-1 Arsenal

    Në gjysmëfinalen tjetër, Villarreali e ka befasuar Arsenalin e Mikel Artetës, duke e mundur 2-1 në Spanjë.

    Arsenali arriti që të paktën të shënojë golin si mysafirë, që ka vërtet një vlerë të madhe në këtë garë.

    “Topçinjtë” e nisën keq takimin, duke pësuar dy gola të shpejtë, në minutat 5’ dhe 29’.

    Por, në pjesën e dytë, në atë të 73’, Pepe shënoi golin e shpresës për Arsenalin.

    Ekipi i Artetës luajti me një lojtar më pak nga minuta e 57’, Dani Ceballos u përjashtua nga loja me të kuq, derisa në atë të 80-të, u baraspeshua gjithçka me lojtar, pasi Capoue mori të kuq për Villarrealin.

    Sfida e kthimit do të zhvillohet javën tjetër dhe sigurisht se do të jetë një ndeshje vërtetë e çmendur në Emirates.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!