×
  • Sport
  • Sport

    Me disa fjalë, Majlinda Kelmendi e “vendos në shpinë” kryetarin e Pejës

    Reporteri
    08 Korrik 2019 | 22:34

    Tri medalje i ftuan tri xhudistet kosovare, në Lojërat Evropiane të Minskut, muajin e kaluar. Por edhe pas këtij suksese kampionia Majlinda Kelmendi dhe shokët e saj si dhe trajnerët nuk u pritën me nderime ashtu siç e meritojnë kur u kthyen në Kosovë, ndërsa në momentet që ata bëjnë krenar Kosovën statuset e politikanëve në Facebook shpërthejnë.


    Por Majlinda në një intervistë dhënë së fundmi ka shprehur hapur pakënaqësinë e saj në veçanti me udhëheqjen komunale të Pejës, nga i cili qytet vjen dhe jeton aty, shkruan Reporteri.net.

    Arsyeja është se xhudistët e suksesshëm të Pejës, vazhdojnë të kenë probleme me infrastrukturën sportive, pasi ende nuk është as gati të nisë ndërtimi i Qendrës nacionale të xhudos, pasi projekti ka ngecur në mungesë të sigurimit të hapësirës për ndërtimin e këtij objekti, nga Komuna e Pejës, edhe pse Ministria e Sportit ka ndarë mjetet financiare.

    Majlinda nuk ka duruar më dhe hapur ka shprehur mllefin e saj ndaj udhëhqjes aktuale të Pejës.

    “Kemi prit që sidomos Komuna ka me pas çasje krejt ndryshe në raport me klubin tonë dhe të arriturat tona. Si klub nuk është se jemi përkrahë aq shumë prej Komunës, është shumë e pakuptimtë që ke qytet një klub, që ke garues që i sjellin komunës, i sjellin Kosovës medalje të arta prej kampionatit botërorë, evropian dhe Lojërvae Olimpike e as nuk urohen nga kryetari i komunës dhe kjo është e pakuptueshme për mua dhe realisht, pavarësisht asaj që jetoj në qytet ka këtu njerëz që s’kam qejf kurrë me i pa, ndoshta është keq që po e flas, është hera e parë që po e them këtë, mirëpo si klub kemi meritu që komuna me pas çasje krejt tjetër në raport me neve”, ka thënë Kelmendi, shkruan Reporteri.net.

    Ajo ka thënë se xhudistët dhe klubi e trajneri Driton Kuka, nuk duhet më të merren me punët që nuk janë për ta.

    “Salla nuk është ndërtuar ende, as që ka fillu me u ndërtu, është nda parcela për këtë sallë, por siç duket dikush i ka ra pishman. Kështu që nuk e di, Toni merret më shumë me këtë punë, dhe më vjen shumë keq për situatën në të cilën gjindet, ai është trajner dhe nuk është fer me u marrë me këto gjana”, ka deklaruar Majlinda.

    Kujtojmë se Qendra Nacionale për xhudon kishte marrë përkrahjen e Komunës së Pejës për ndarjen e parcelës për ndërtim në fund të vitit 2016, por që nga atëherë nuk është bërë më asnjë lëvizje. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!