×
  • Sport
  • Sport

    Ministri Çeku akuzon kryetarin Smajl Latifi për zvarritjen e projektit për ndërtimin e stadiumit të ri të futbollit në Rahovec

    Reporteri
    08 Dhjetor 2022 | 16:28

    Rahoveci mbetet pa stadium futbolli, pasi aktuali nuk i plotëson kushtet, dhe është paraparë për një lokacion tjetër ku do të ndërtohej një stadium i ri. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku fajin e ka hedhur te kryetari i Komunës, Smajl Latifi, i cili sipas tij po e neglizhon gjetjen e një lokacioni të ri, ku më pas me ndihmën e Ministrisë, do të ndërtohej stadiumi i ri.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri Çeku ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta Rahovecin me stadium të ri futbolli.

    “Sot me deputetin e Kuvendit të Kosovës Visar Korenica biseduam për angazhimin tonë të përbashkët për ta bërë Rahovecin me stadium të ri futbolli. Siç e kemi thënë disa herë deri tani, Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për jetësimin e këtij projekti me rëndësi kapitale për sportin, rininë dhe gjithë banorët e Rahovecit”.

    “Në vizitën që e kam pasur në shtator të këtij viti në Komunën e Rahovecit, nga Kryetari Smajl Latifi kam kërkuar të përcaktojë një lokacion të përshtatshëm dhe konsensual për stadiumin e qytetit, në konsultim dhe dakordim me komunitetin e sportit, Kuvendin e Komunës, profesionistët përkatës dhe grupet përkatëse të interesit”, ka thënë Çeku.

    Edhe pse ka marrë premtime nga kryetari Latifi se lokacioni do të gjendet dhe do të kryhen procedurat për të, ministri Çeku thotë se kjo ende nuk ka ndodhur.

    “Kryetari Latifi është zotuar se do t’i zhvillojë këto konsultime dhe do të sigurojë konsensus për lokacionin, në mënyrë që Ministria e Sportit t’i nisë procedurat për stadiumin. Deri sot, nuk kam pranuar asnjë njoftim zyrtar nga Kryetari për këtë çështje”.

    “Dua të përsëris zotimin tonë. Në momentin që sigurohet lokacioni i përshtatshëm dhe konsensual, dhe i njëjti votohet në Kuvendin e Komunës, ne do ta nisim menjëherë procedurën për hartimin e projektit të stadiumit të qytetit. Gjithashtu, zotohemi se do të sigurojmë gjithë buxhetin e nevojshëm për ndërtimin e tërësishëm të stadiumit”, ka thënë ministri Çeku duke shtuar se nuk kemi kohë për të humbur. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!