×
  • Sport
  • Sport

    Nis puna për afrimin e Astrit Selmanit te Kosova

    Reporteri
    30 Nëntor 2020 | 10:50

    Djaloshi nga Malmo i dha një goditje Malmos. Është kjo njëra prej fjalive që janë shkruar të dielën nga mediumet suedeze për sulmuesin Astrit Selmani. Selmani është zbulim i edicionit 2020 në Allsvenskan të Suedisë.


    Edicionin e këtij viti 23-vjeçari e ka përfunduar me plot 15 gola e gjashtë asistime. Skuadra e tij, Varbergs, për herë të parë luan në elitën e Suedisë në futboll. Për herë të parë në elitë po paraqitet edhe Selmani, sulmuesi nga Kosova i lindur në Malmo.

    Forma që ka kaluar këtë vit nuk ka kaluar pa u vërejtur edhe nga përgjegjësit në Federatën e Futbollit të Kosovës. KOHËS i është konfirmuar se FFK-ja tashmë ka nisur angazhimin për afrimin e tij në përfaqësuese.

    Në kampionatin e Suedisë ka mbetur të zhvillohet edhe një xhiro. Por, Selmani mori karton të verdhë të dielën në ndeshjen ndaj Malmos dhe është i suspenduar për ndeshjen e fundit.

    Malmo disa javë më herët kishte siguruar titullin. Por, të dielën pësoi 3:2 nga Varbergsi debutues. Golin e tretë për Varbergsin e shënoi kapiteni Astrit Selmani. Për të ishte goli i 15-të këtë edicion. Ai ka kontribuuar edhe me gjashtë asistime.

    Ka kohë që Selmani ka shprehur interesim që të luaj për Kosovën. Por, deri vonë FFK-ja nuk kishte shprehur interesim. Situata ka ndryshuar ndërkohë.

    “Jemi duke folur për Selmanin. Është lojtar i talentuar”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi për KOHËN.

    Kosova aktualisht nuk ka në sulm një lojtar të tipit të Selmanit. Në sulm bazohet në shtatlartët Vedat Muriqi e Atdhe Nuhiu. Selmani është tip tjetër i lojtarit. Është këmbëngulës dhe me ndjenjë të mirë për gol. Po ashtu, shquhet për angazhimin dhe për shpirtin luftarak.

    “Sot kemi shënuar një fitore të madhe”, ka thënë Selmani për KOHËN, të dielën.

    “Kam shënuar një gol, kemi fituar, kemi mposhtur kampionin dhe nuk është keq. I gjithë kampionati për mua ishte i suksesshëm. Njëjtë edhe për skuadrën. Kam luajtur 24 lojë, kam 15 gola e gjashtë asistime”, ka shtuar Selmani.

    Mediat në Suedi shkruajnë vazhdimisht për të. Gjasat që ai të mbetet te Varbergu nuk janë të mëdha. Skuadrat më të mëdha në Suedi, duke përfshirë Malmon janë të interesuara për të.

    “Ka shumë skuadra të interesuara. Interesimi po rritet nga dita në ditë. Nuk e di se çka do të ndodhë, të shohim. Nuk kam folur së fundi me menaxherin dhe nuk e di çka do të ndodhë. Kam qenë i fokusuar në këtë ndeshje. Tani për ndeshjen e fundit jam i pezulluar, për shkak të kartonëve dhe do të flas me menaxherin për të gjitha”, ka theksuar Selmani.

    Ai shumë herë ka përsëritur se do të ishte krenar po të luante për përfaqësuesen e Kosovës. Kosova ka disa lojtarë në Skandinavi, ndërsa edhe Suedia është vend që “furnizon” ekipet përfaqësuese të Kosovës. Në kampionatin e Suedisë luajnë shumë futbollistë shqiptarë. Numri i shqiptarëve në Suedi është goxha i madh. Shumica prej tyre janë nga Kosova.

    “Unë e kam thënë se jam i gatshëm të luaj për Kosovën. Nëse ka diçka të re, nuk e di. Thashë që nuk kam folur për një kohë me menaxherin. Ai merret me këto punë”, thotë Selmani.

    Te Varbergsi po përgatiten për periudhën pa Selmanin. Trajneri Joakim Persson, ka thënë se 99.9 për qind, Selmani do të largohet.

    Vendime të rëndësishme në karrierë e presin atë. Njëri prej tyre mund të jetë edhe që të luajë për Kosovën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!