×
  • Sport
  • Sport

    Përparësitë dhe të metat e “Dardanëve” në ndeshjen Kosovë-Mal i Zi

    Reporteri
    11 Tetor 2019 | 20:28

    Trajneri Bylbyl Sokoli beson se Kosova ka ekip më cilësor sesa Mali i Zi, ndërsa Arbnor Morina paralajmëron se në “Fadil Vokrri” do ta shohim një Mal të Zi më të mirë pasi që në ndeshjen në Podgoricë ata kishin probleme jashtë futbollit.


    Të hënën, Kosova do ta vazhdojë rrugëtimin në kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 me ndeshjen kundër Malit të Zi, që do të zhvillohet në orën 20:45 në “Fadil Vokrri”.

    Ndeshja e parë mes këtyre dy Kombëtareve në kuadër të Grupit A përfundoi me rezultat 1:1, mirëpo Malit të Zi i kishte munguan lojtari më i mirë i tyre në atë ndeshje, Stefan Savic, ndërsa trajneri dhe dy lojtarë s’kishin pranuar të marrin pjesë shkaku i prejardhjes serbe të tyre.

    Këto rrethana kanë bërë që Morina të besojë se mund ta presim një Mal të Zi më të mirë sesa në atë ndeshje në “Fadil Vokrri” të hënën.

    “Ndeshja me Malin e Zi në Podgoricë ishte e tensionuar, më shumë për malaziasit por edhe për ne. S’duhet të jemi 100 për qind e bindur se do të arrijë të fitojë të hënën, mirëpo në tentim për fitore ndikon edhe patriotizmi”, tha Morina në “Favorit”.

    Në anën tjetër, Sokoli beson se Kosova e ka epërsinë në këtë ndeshje për shkak se e ka ekipin më cilësor dhe beson se kjo ndeshje do të jetë vendimtare për fatin e Kosovës në kualifikimet për EURO 2020.

    “Kosova ka ekip më cilësor sesa Mali i Zi dhe të hënën duhet të luajë me ritëm më të shpejtë, ta qarkullojë topin më shpejt. Kjo ndeshje mund të cilësohet vendimtare për mundësitë e Kosovës për t’u kualifikuar në EURO 2020”, shtoi Sokoli në T7.

    Kosova aktualisht radhitet në pozitën e tretë në Grupin A, me tetë pikë të fituara nga pesë ndeshjet e para. Kreun e mban Anglia me një ndeshje më pak të zhvilluara dhe 12 pikë, ndërsa e dyta është Çekia me nëntë pikë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!