×
  • Sport
  • Sport

    Policia e demanton Eroll Salihun, thotë se për çdo ndeshje ka siguri maksimale

    Reporteri
    16 Janar 2021 | 17:15

    Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Rusisë në konkurrencën e femrave, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2021 ishte bërë temë e diskutimeve të mëdha.


    Fillimisht ishte planifikuar që kjo ndeshje të zhvillohej në Prishtinë më 4 tetor të vitit 2019, e që ishte shtyrë në atë kohë, të luhet në qytetin Wiesbaden në Gjermani, në stadiumin “Brita Arsena” me 6 mars 2020, shkruan GazetaBlic.

    Sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, shtëpia e futbollit evropian, UEFA kishte konsideruar se loja nuk mund të luhej në Kosovë për shkaqe sigurie, prandaj vendosi që ajo të luhet në një shtet neutral gjë që edhe realisht kishte ndodhur.

    Poashtu, në një intervistë në Sportin Total në Kohavision, Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu kishte deklaruar që kjo ndeshje u zhvillua në Gjermani për shkak të të problemeve specifike që kishte në fushën e sigurisë, ku sipas tij kishte informata për një rrezik të mundshëm potencial nga një grup tifozësh serbë.

    Por, GazetaBlic Sport ka kontaktuar Policinë e Kosovës për këtë gjë duke i pyetur në lidhje me këtë ndeshje dhe problemet e mundshme organizative për këtë ndeshje të cilët janë përgjigjur që niveli i organizimeve të tilla në vendin tonë është në nivelin e duhur dhe se nuk kanë informacione se pse kjo ndeshje nuk është vendosur të luhet në Kosovë e as informacione që Salihu i ka përmendur në intervistën e tij në Kohavision.

    “Në Republikën e Kosovës siguria për mbajtjen e manifestimeve kulturore-sportive është në nivelin maksimal. Nuk kemi pasur informacione të tilla pse nuk është vendosur ndeshja e apostrofuar të luhet në Kosovë” thuhet në përgjigjen zyrtare të ofruar nga Policia e Kosovës.

    Sido që të jetë ndeshja u zhvillua në Gjermani dhe përfundoi 5 me 0 në të mirë të futbollisteve ruse, poashtu organizuar në bazë të rregullave të UEFA-s me simbole, himne dhe flamujë të të dyja vendeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!