×
  • Sport
  • Sport

    Reagon përsëri Prishtina: E zezë dita e futbollit!

    Reporteri
    08 Korrik 2020 | 22:44

    Klubi i Prishtinës ka reaguar përsëri në faqen e saj zyrtare pas ngjarjeve që ndodhën sot në ndeshjen kundër Gjilanit


    Gjilani e mposhti Prishtinën me rezultat 2-1 në një ndeshje që ishte shumë e rëndësishme për të dy skuadrat që po luftonin për titull, shkruan Reporteri.net

    Pas ndeshjes pati tensione të mëdha ku Policia përdori edhe sprej kundër trajnerit të Prishtinës, Armend Dallku.

    Prishtina ka reaguar disa herë gjatë mbrëmjes sot për ngjarjet që ndodhën. Por, për dallim prej postimeve të mëparshme, tani ka treguar në detaje se çfarë ndodhi sot.

    Ky është postimi i plotë i klubit të Prishtinës:

    Java XXIX: Gjilani – Prishtina: E ZEZË DITA E FUTBOLLIT!

    Sot u përsërit ndeshja e para dy vitesh në Pejë, Prishtina – Drita

    Gjilan, 8 korrik 2020 –Sot nuk ka raportim të zakonshëm të pas ndeshjeve. Sot ishte ditë e zezë për futbollin kosovar, por s’ishte hera e parë për Prishtinën!

    Para dy vitesh në ndeshjen e javës së 33-të, Prishtina – Drita, kishte ngjarë skenar i njëjtë, dhe kishim menduar që ajo periudhë e zezë kishte kaluar, sidomos pas edicionit të vitit të kaluar kur Prishtina s’kishte ankesa dhe kishte uruar për titullin e kampionit, Feronikelin.

    Por, delegimi i gjyqtarëve si Selim Isufi në Podujevë, Llapi – Prishtina, e sërish në Podujevë Llapi – Drita e nesër Drita – Feronikeli, e Fatmir Tahirit me Drenicën pas dy vitesh mungese që nga ndeshja në Pejë dhe caktimi i gjyqtarëve të njëjtë sikurse në Pejë, veçse tani për kryesor, Kreshnik Vula, i cili për vite të tëra ka pasur ndalesën t’i gjykoj Prishtinës, u “pa sahati” para ndeshjes. Klubi ynë edhe pas kësaj shpresoi në gjykim korrekt. “Kishim harruara” që kryetar i komisionit për delegimin e gjyqtarëve është një njeri i inkriminuar e i dënuar më parë, Malazog Hoxha nga Gjilani. Nuk na kishte dal nga mendja, por shpresonim në korrektësinë e të gjithëve në organet gjegjëse të organizmave pranë FFK-së.

    Shumë kush sot ishte për ta lëshuar fushën, jo që portieri Visar Bekaj s’ishte futbollist i fundit e as nuk kishte shkaktuar ndërhyrje, por ishte futbollisti kundërshtar që kishte faulluar në portierin tonë.

    Gjyqtari Kreshnik Vula, pas konsultimit me anësorin Fatmis Sekiraqa, i cili identik i kishte gjykuar karton të kuq Prishtinës para dy vitesh me Dritën, merr guximin ta përsëris veprën e tij të njohur të ligë, t’i shante futbollistët tanë e të merrej dhe me fotograf të klubit.

    Pas minutës 52-të kur u përjashtua Bekaj e nga ajo gjuajtje e lirë erdhën në epërsi vendasit (Veliu 52’), më lojë nuk pati. Vendasit shënuan golin e dytë pas kundërzbritjes me Prognin (66’). Futbollistët prishtinas u lëshuan me tërë forcat përpara, por e kishin të kotë veç shënimit nga Thaqi prej gjuajtjes së lirë (81’).

    Pas ndeshjes, futbollistët prishtinas duke dashur të kërkojnë sqarime nga gjyqtarët, u sulmuan me sprej syve nga zyrtarët policor dhe në spital u dërguan kryetrajneri Dallku, përfaqësuesi i klubit Kushtrim Sopa dhe futbollisti Labinot Ibrahimi,. Kurse Lorik Boshnjaku nga thyerja emocionale ka lënduar dorën duke goditur mjet të fortë.

    Edhe jashtë stadiumit, pas duelit verbal të administratorit të FC Prishtina, delegat pran FFK-së, Bajram Sherifi, me drejtorin e Dritës, Valon Zymeri, u arrestuan nga policia për t’u liruar më vonë.

    FC Prishtina ka paraparë tërheqje nga garat, sidomos nëse nuk shkarkohet menjëherë Komisioni për delegimin e gjyqtarëve më në krye Malazog Hoxhën, si dhe përjashtimin nga organizmat e futbollit të gjyqtarëve të ndeshjes së sotme, sidomos Kreshnik Vula dhe Fatmir Sekiraqa.

    Është e padëgjuar që në këtë javë mos të gjykojnë gjyqtarët e FIFA-s, si Genc Nuza, Besfort Kosumi, Fatlum Berisha, Bujar Selimaj, ndërsa të gjykojnë gjyqtarë të korruptuar të njohur për mbarë opinion futbolldashës.

    Prishtinën e bëtë sërish kurban, tani e keni radhës ta pastroni futbollin, ose përndryshe do të vazhdoni maskaradën, cirkun, e të quajturit futboll, por pa Prishtinën!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!