×
  • Sport
  • Sport

    Real Madrid e nis me trofe vitin 2022, fiton Superkupën e Spanjës

    Reporteri
    16 Janar 2022 | 21:32

    Real Madrid e ka nisur këtë vit në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar Superkupën e Spanjës për herë të 12-të në histori të klubit.

    “Los Blancos” që eliminuan rivalin e përbetuar, Barcelonën në gjysmëfinale, shënuan fitore komode në finale ndaj Athletic Bilbaos me rezultat 2 – 0, shkruan lajmi.net.

    Real Madrid dominoi qysh nga minuta e parë në tërë ndeshjen, duke krijuar aksione të shumta, por që përfunduan në rrjetë vetëm dy herë.

    Ishte mesfushori Luka Modric që i dha epërsinë Realit pas një asistimi të Rodrygos duke shënuar një eurogol (38’), rezultat me të cilin edhe përfundoi kjo pjesë.

    Me fillimin e pjesës së dytë, nga një goditje e Karim Benzema, mbrojtësi i Bilbaos preku topin me dorë dhe pas rishikimit të VAR-it, u akordua 11-metërsh për madrilenët.

    Nga pika e bardhë nuk dështoi francezi që me këtë gol, vulosi fitoren në finale dhe Real Madrid fitoi Superkupën e Spanjës.

    Bilbao kishte rastin e artë të ngushtonte epërsinë dhe të provonte ndonjë përmbysje, por gjuajtjen e Raul Garcias nga pika e bardhë e ndali Courtois me këmbë (89′).

    Përpos Superkupës, Real Madrid shihet si favoriti kryesor edhe për La Liga-n, pasi janë pesë pikë prapa Sevillas, që qëndron si pozitë e dytë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!