Ronaldinho mëson zanat të ri në burg

Duket se Ronaldinho nuk po e kalon kohën kot në burgun e Paraguait, pasi sipas mediave spanjolle, legjenda e futbollit brazilian është duke bërë punë zdrukthëtari atje.


Ronaldinho, bashkë me vëllain e vet Roberto Assis, janë duke u mbajtur në burgun Quadrilateral. Në këtë burg mbahen politikanët e ndjekur për korrupsion dhe trafikuesit e drogës, shkruan Gazeta Express.

Braziliani është në pritje të gjyqit nën akuzat se ka hyrë në shtetin e Amerikës Jugore ilegalisht me dokumente të falsifikuara në fillim të këtij muaji.

Ronaldinho është duke bërë gjithçka për të mos kaluar kohë të mërzitshme prapa grilave. Pasi mori pjesë në një turne të futbollit të vogël në këtë burg, ai tani është duke e mësuar zanatin e zdrukthëtarit, sipas ESPN.

Lojtari paraguaian i volejbollit me këmbë, Fernando Lugo, ka thënë se Ronaldinho nuk ndalej së buzëqeshuri kur e kishte vizituar në burg.

Ronaldinho dhe vëllai i tij dolën para gjykatës një javë pas arrestimit, nën akuzat se kishin përdorur pasaporte të rreme për t’u futur në kryeqytetin e Paraguait, Asuncion.

Gjykata ka urdhëruar që ata të mbahen në burg deri në përfundim të procesit gjyqësor ndaj tyre, duke argumentuar se ekziston rreziku që ata të ikin nga vendi pa përfunduar gjykimi ndaj tyre.

Sipas mediave lokale procesi i hetimit dhe gjykimi mund të zgjasë deri në gjashtë muaj.

Në korrik të vitit 2019, Ronaldinhos iu konfiskuan pasaportat braziliane dhe spanjolle për shkak të mos pagimit të tatimeve dhe mos pagimit të gjobave për ndërtim të jashtëligjshëm në një vend të mbrojtur natyror në Brazil.