×
  • Sport
  • Sport

    Shkaku i koronavirusit – FFK mbyll zyrat dhe punët me palë

    Reporteri
    17 Mars 2020 | 20:25

    Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se duke iu referuar vendimeve të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, selia e FFK-së do të jetë e mbyllur për të gjitha palët deri më 27 mars, derisa varësisht prej situatës do të merren hapat e mëtutjeshëm.


    Kësisoj nga nesër e tutje me qëllim të mbrojtjes së shëndetit për punonjësit e FFK-së, por edhe për zyrtarët e klubeve dhe qytetarët në përgjithësi, hyjnë në fuqi masat e mëposhtme:

    – FFK pezullon të gjitha aktivitetet, mbledhjet dhe takimet.

    -Në selinë e FFK-së do të ketë vetëm kujdestari (nuk pranohen palët). Të gjitha punët do të kryhen nëpërmjet telefonit dhe internetit (e-mail-it).

    – Secili punonjës i FFK-së do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë sektorët që funksionojnë në kuadër të federatës dhe do t’i shërbejnë klubeve në kërkesat e tyre nëpërmjet e-mail-it apo telefonit.

    -Çdo pjesëtar i stafit të FFK-së në rast se do të ketë shqetësime shëndetësore duhet ta informojë Presidentin, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv ose Sekretarin e Përgjithshëm dhe do t’i kërkohet të vetë-izolohet në shtëpi dhe të ketë kontakt me autoritetet shëndetësore.

    Këto masa janë ndërmarrë me qëllimin më të mirë që të tejkalohet sa më lehtë situata e krijuar nga koronavirusi Covid-19 dhe të ruhet shëndeti i të gjithëve, derisa masa të njëjta ka ndërmarrë së fundmi edhe administrata e UEFA-s.

    FFK bën me dije edhe një herë se është e gatshme t’i ndihmojë për çfarëdo nevoje të gjithë futbollistët, klubet, punëtorët sportivë, anëtarët e FFK-së, Dardanët dhe të gjithë ata që janë rreth futbollit në këtë situatë të jashtëzakonshme.

    FFK u bën thirrje të gjithë futbollistëve, stafeve të tyre teknike, zyrtarëve të klubeve, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve sportivë që t’i evitojnë sa më shumë daljet e tyre nga shtëpitë, duke i respektuar në përpikëri udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për ruajtje nga përhapja e koronavirusit.

    Së bashku do ta kalojmë edhe këtë sfidë!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!