×
  • Sport
  • Sport

    Testimi negativ i lojtarëve jep shtytje rifillimit të Superligës

    Reporteri
    30 Maj 2020 | 19:46

    Trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu, insiston se lajmi më i mirë për të gjitha klubet e Superligës para rifillimit të edicionit është se asnjë prej futbollistëve apo prej stafit të ekipeve nuk ka dalë pozitiv në testet për Koronavirus.


    Javën e shkuar filluan testimet e klubeve që përfunduan këtë javë. Askush nuk doli i infektuar dhe për trajnerin Sejdiu kjo është një garanci e rëndësishme para rifillimit të kampionatit, i cili u pezullua më 13 mars.

    Futbolli në Kosovë do të rifillojë javën e ardhshme, saktësisht me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës që do të luhen më 2 dhe 3 qershor, kurse garat e Superligës do të vazhdojnë më 5 qershor.

    Deri në fund të këtij edicioni ka mbetur të zhvillohet edhe faza e tretë, e cila përbëhet prej 11 xhirosh që do të përcaktojnë kampionin, daljen në Evropë dhe rënien nga elita.

    “Është një lehtësim i madh dhe siguri për të gjitha klubet që nuk pati asnjë të infektuar, por të gjithë dolën negativë. E them këtë sepse po të dilte ndonjëri pozitiv, atëherë do të krijohej një kaos i vërtetë. Deri para konfirmimit të rezultateve gjithmonë në stërvitje ekzistonte një lloj frike, por tash jemi më të sigurt dhe si nëpër klube ashtu edhe tek lojtarët mbretëron një qetësi”, ka thënë Sejdiu.

    “Por, rreziku është gjithmonë i pranishëm dhe ne vazhdimisht duhet sugjerojmë lojtarët që t’iu përmbahen masave. Mund të them se liga jonë është një rast unik që nuk ka asnjë rast pozitiv pas kthimit në stërvitje, duke pasur parasysh se nëpër ligat e tjera ka pasur raste të prekura”.

    Bazuar në rezultatet e testeve që dolën negative para rifillimit të garave, Sejdiu beson se edicioni ka gjasa të mëdha që të mbyllet pa pasur asnjë të prekur që është i përfshirë në ndeshjet e futbollit.

    “Ky është edhe një sukses i klubeve, pasi lojtarët janë treguar të disiplinuar gjatë karantimit. Kjo na jep shpresa të mëdha që edicionin ta mbyllim pa asnjë rast të prekur dhe besoj se të gjitha klubet do të punojmë në këtë aspekt”, shtoi Sejdiu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!