{"id":1256405,"date":"2026-08-05T23:58:45","date_gmt":"2026-08-05T21:58:45","guid":{"rendered":"https:\/\/reporteri.net\/?p=1256405"},"modified":"2026-08-05T23:58:45","modified_gmt":"2026-08-05T21:58:45","slug":"prej-6-gushtit-deri-pas-5-tetorit-kush-e-ka-kohen-dhe-kujt-i-duhet-marreveshja","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/reporteri.net\/sq\/opinione\/prej-6-gushtit-deri-pas-5-tetorit-kush-e-ka-kohen-dhe-kujt-i-duhet-marreveshja\/","title":{"rendered":"Prej 6 gushtit deri pas 5 tetorit &#8211; Kush e ka koh\u00ebn dhe kujt i duhet marr\u00ebveshja?"},"content":{"rendered":"<p><strong>Takimet e fundit mes LVV-s\u00eb dhe LDK-s\u00eb zgjat\u00ebn disa or\u00eb. Marr\u00ebveshja, megjithat\u00eb, mund t\u00eb thuhej se kishte d\u00ebshtuar para se delegacionet t\u00eb hynin n\u00eb sall\u00eb. LDK-ja erdhi me tri nga figurat e saj kryesore dhe me nevoj\u00ebn p\u00ebr nj\u00eb marr\u00ebveshje. Kurti erdhi vet\u00ebm me Hekuran Muratin dhe me luksin e mosarritjes s\u00eb marr\u00ebveshjes. N\u00eb politik\u00eb, marr\u00ebveshjet nuk b\u00ebhen kur pal\u00ebt kan\u00eb vullnet t\u00eb mir\u00eb, por kur frika nga d\u00ebshtimi ndahet af\u00ebrsisht nj\u00ebsoj. T\u00eb mart\u00ebn mbr\u00ebma, ajo frik\u00eb ishte vet\u00ebm n\u00eb nj\u00ebr\u00ebn an\u00eb t\u00eb tavolin\u00ebs.<\/strong><\/p>\n<p>Kushdo q\u00eb priste marr\u00ebveshje mes L\u00ebvizjes Vet\u00ebvendosje dhe Lidhjes Demokratike t\u00eb Kosov\u00ebs, apo me cil\u00ebndo parti tjet\u00ebr, dy dit\u00eb para seanc\u00ebs konstituive, ose nuk e ka lexuar m\u00ebnyr\u00ebn se si negocion Albin Kurti, ose nuk e ka p\u00ebrcjell\u00eb politik\u00ebn e Kosov\u00ebs gjat\u00eb dekad\u00ebs s\u00eb fundit. Marr\u00ebveshja me LDK-n\u00eb mbetet e mundshme. Nj\u00eb marr\u00ebveshje e hershme, pa dyshim q\u00eb jo.<\/p>\n<p>Kurti e tha vet\u00eb para takimit se votat i ka p\u00ebr Kuvendin dhe Qeverin\u00eb, jo p\u00ebr Presidentin. Me 53 deputet\u00eb dhe me mb\u00ebshtetjen e komuniteteve q\u00eb nuk kontrollohen nga Lista Serbe, p\u00ebrfshir\u00eb Nenad Rashiqin, ai e ka rrug\u00ebn pothuajse t\u00eb sigurt deri te shumica parlamentare. LDK-ja i duhet te Presidenca, aty ku numrat e tij nuk mjaftojn\u00eb. Prandaj dy pal\u00ebt mund t\u00eb ulen n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn tavolin\u00eb, por nuk jan\u00eb duke negociuar t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn gj\u00eb dhe as me t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn urgjenc\u00eb.<\/p>\n<p>Vet\u00eb fotografia e takimit e tregonte k\u00ebt\u00eb pabarazi. Kurti zgjodhi formatin e ngusht\u00eb 1+1 dhe shkoi vet\u00ebm me Hekuran Muratin, duke mos shprehur asnj\u00eb nguti p\u00ebr kompromis. LDK-ja erdhi me Lumir Abdixhikun, Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin, b\u00ebrtham\u00ebn e saj politike pas nj\u00eb p\u00ebrplasjeje t\u00eb brendshme n\u00eb parti. Tre nga 18 deputet\u00ebt e LDK-s\u00eb, pra nj\u00eb e gjashta e gjith\u00eb grupit parlamentar, u ul\u00ebn n\u00eb at\u00eb tavolin\u00eb. Nj\u00eb parti nuk e sjell nj\u00eb t\u00eb gjasht\u00ebn e grupit t\u00eb vet vet\u00ebm p\u00ebr t\u00eb shk\u00ebmbyer mendime. Ajo shkon p\u00ebr marr\u00ebveshje. Dhe, pas nj\u00eb vote 170 me 152 n\u00eb Kuvendin e partis\u00eb, Abdixhiku nuk mund t\u00eb kthehet n\u00eb parti vet\u00ebm me disa ministri dhe nj\u00eb fotografi. I duhet di\u00e7ka q\u00eb mbijeton edhe n\u00ebse koalicioni prishet.<\/p>\n<p>Kurti dha sinjalin e kund\u00ebrt. Pas takimit, ai e ktheu bised\u00ebn te PDK-ja dhe AAK-ja, duke p\u00ebrs\u00ebritur gatishm\u00ebrin\u00eb p\u00ebr t&#8217;i takuar Bedri Hamz\u00ebn dhe Ardian Gjinin. Kjo ishte taktik\u00eb p\u00ebr t&#8217;ia zvog\u00ebluar pesh\u00ebn LDK-s\u00eb edhe kur ajo mbetet partneri i vet\u00ebm realist p\u00ebr Presidenc\u00ebn. Duke hapur publikisht dyer t\u00eb tjera, Kurti p\u00ebrpiqet t&#8217;ia ul\u00eb \u00e7mimin der\u00ebs s\u00eb vetme q\u00eb v\u00ebrtet i duhet.<\/p>\n<p>As dita e takimit nuk ishte neutrale. Para takimit me LDK-n\u00eb, Kurti ishte n\u00eb veri, te ura e tret\u00eb mbi Ib\u00ebr dhe te kanali Ib\u00ebr-Lepenc, nd\u00ebrsa mu gjat\u00eb bisedimeve me LDK-n\u00eb, n\u00eb faqen e tij u publikua video nga Ujmani. Ishte sinjali i nj\u00eb lideri q\u00eb k\u00ebrkon bashk\u00ebpunim institucional pa prekur platform\u00ebn e vet t\u00eb sovranitetit, jo i dikujt q\u00eb po p\u00ebrgatitet ta zbus\u00eb politik\u00ebn p\u00ebr ta arritur nj\u00eb koalicion.<\/p>\n<p><strong>Kontrolli para marr\u00ebveshjes<\/strong><br \/>\nGabimi m\u00eb i shpesht\u00eb n\u00eb leximin e Kurtit \u00ebsht\u00eb bindja se marr\u00ebveshja me t\u00eb duhet t&#8217;i paraprij\u00eb veprimit institucional. N\u00eb praktik\u00ebn e tij politike pothuajse gjithmon\u00eb ka ndodhur e kund\u00ebrta. Ai e merr fillimisht institucionin q\u00eb mund ta marr\u00eb, e ndryshon pik\u00ebn prej s\u00eb cil\u00ebs negociohet dhe l\u00ebshon pe vet\u00ebm kur marr\u00ebveshja i sjell m\u00eb shum\u00eb se fakti i kryer.<\/p>\n<p>Precedenti m\u00eb i qart\u00eb mbetet ai i viteve 2019-2020. At\u00ebher\u00eb dallimi nd\u00ebrmjet LVV-s\u00eb dhe LDK-s\u00eb ishte vet\u00ebm 1.72 pik\u00eb p\u00ebrqindjeje dhe nj\u00eb mandat, 29 me 28. LDK-ja negocionte pothuajse si e barabart\u00eb. Megjithat\u00eb, nga zgjedhjet e 6 tetorit deri te marr\u00ebveshja e 2 shkurtit kaluan gati kat\u00ebr muaj. Pati oferta e kund\u00ebroferta, video e kund\u00ebrvideo, afate, presion publik dhe p\u00ebrpjekje t\u00eb vazhdueshme p\u00ebr t&#8217;ia faturuar pal\u00ebs tjet\u00ebr d\u00ebshtimin e mundsh\u00ebm.<\/p>\n<p>M\u00eb 26 dhjetor, pa marr\u00ebveshje me LDK-n\u00eb, Kurti e propozoi Glauk Konjufc\u00ebn p\u00ebr kryetar t\u00eb Kuvendit. Konjufca u zgjodh me 75 vota, p\u00ebrfshir\u00eb votat e LDK-s\u00eb. Ajo l\u00ebvizje nuk i mbylli negociatat, por thjesht ua ndryshoi pik\u00ebn e nisjes. Kurti e mori institucionin q\u00eb mund ta merrte dhe vazhdoi t\u00eb negocionte nga pozita e atij q\u00eb tashm\u00eb e kontrollonte at\u00eb.<\/p>\n<p>Marr\u00ebveshja u arrit vet\u00ebm m\u00eb 2 shkurt, nj\u00eb dit\u00eb para p\u00ebrfundimit t\u00eb afatit t\u00eb mandatarit t\u00eb par\u00eb p\u00ebr formimin e Qeveris\u00eb. N\u00eb at\u00eb pik\u00eb nuk rrezikohej m\u00eb vet\u00ebm procesi negociues, por d\u00ebshtimi publik p\u00ebr t&#8217;ua dh\u00ebn\u00eb qytetar\u00ebve at\u00eb q\u00eb ishte shitur si \u201cQeveria e Shpres\u00ebs\u201d, nd\u00ebrsa hapej mund\u00ebsia p\u00ebr nj\u00eb mandatar t\u00eb dyt\u00eb, nj\u00eb qeveri pa LVV-n\u00eb ose zgjedhje t\u00eb reja. Vet\u00ebm kur mosmarr\u00ebveshja u b\u00eb m\u00eb e kushtueshme se l\u00ebshimi, posti i kryetarit t\u00eb Kuvendit u b\u00eb i negociuesh\u00ebm. Konjufca kaloi n\u00eb Ministrin\u00eb e Jashtme, Vjosa Osmani u zgjodh kryetare e Kuvendit, nd\u00ebrsa k\u00ebrkesa e at\u00ebhershme e LDK-s\u00eb p\u00ebr Presidenc\u00ebn mbeti jasht\u00eb marr\u00ebveshjes.<\/p>\n<p>At\u00ebbot\u00eb, Qeveria u rr\u00ebzua pas 51 dit\u00ebsh. Pes\u00eb vjet m\u00eb von\u00eb, n\u00eb fushat\u00ebn e vitit 2025 n\u00eb Prizren, vet\u00eb Kurti e p\u00ebrdori at\u00eb p\u00ebr ta p\u00ebrjashtuar nj\u00eb koalicion t\u00eb ri me opozit\u00ebn: \u201cNa e kemi provu koalicionin me ta, 51 dit\u00eb na ka zgjat\u00eb. O p\u00ebr Zotin, qetash as 5 or\u00eb s&#8217;mundet me zgjat\u00eb.\u201d<\/p>\n<p>Ky \u00ebsht\u00eb m\u00ebsimi i vitit 2020. Kurti nuk b\u00ebn kompromis p\u00ebr ta parandaluar kriz\u00ebn. E b\u00ebn kur kriza fillon t&#8217;i kushtoj\u00eb m\u00eb shum\u00eb se kompromisi. Deri at\u00ebher\u00eb, kontrolli vjen i pari. E n\u00ebse veproi k\u00ebshtu kur LDK-ja ishte vet\u00ebm nj\u00eb deputet prapa tij, nuk ka arsye t\u00eb pritet q\u00eb sot, me 53 deputet\u00eb p\u00ebrball\u00eb 18, ta jap\u00eb paraprakisht at\u00eb q\u00eb mund ta negocioj\u00eb m\u00eb von\u00eb dhe me m\u00eb shum\u00eb leverdi politike.<\/p>\n<p><strong>6 gushti<\/strong><br \/>\n\u00cbsht\u00eb jorealiste t\u00eb pritet q\u00eb seanca konstituive t\u00eb paraprihet nga nj\u00eb marr\u00ebveshje e p\u00ebrgjithshme me LDK-n\u00eb. Vet\u00eb Abdixhiku ia ka hequr Kurtit nj\u00eb penges\u00eb politike. Ai ka th\u00ebn\u00eb se, n\u00ebse deri m\u00eb 6 gusht nuk ka marr\u00ebveshje, duhet t\u00eb vazhdoj\u00eb konstituimi i Kuvendit, duke shtuar se LDK-ja nuk ka interes p\u00ebr postin e kryetarit.<\/p>\n<p>Kjo mund t\u00eb jet\u00eb t\u00ebrheqje, por edhe pozicion negociues. LDK-ja duket se po heq dor\u00eb nga nj\u00eb post q\u00eb e vler\u00ebson m\u00eb pak p\u00ebr ta ruajtur k\u00ebrkes\u00ebn p\u00ebr institucionin q\u00eb e vler\u00ebson m\u00eb shum\u00eb. Pasoja e menj\u00ebhershme, megjithat\u00eb, \u00ebsht\u00eb e qart\u00eb. Ajo e ka dor\u00ebzuar betej\u00ebn p\u00ebr kryetarin e Kuvendit para se votimi t\u00eb nis\u00eb. Kurti nuk ka pse ta paguaj\u00eb LDK-n\u00eb p\u00ebr nj\u00eb vot\u00eb q\u00eb ajo tashm\u00eb ka paralajm\u00ebruar se nuk do ta bllokoj\u00eb.<\/p>\n<p>Prandaj skenari m\u00eb i mundsh\u00ebm \u00ebsht\u00eb q\u00eb LVV-ja do ta propozoj\u00eb kandidaten e vet dhe, me votat q\u00eb i siguron nga komunitetet joshumic\u00eb, e konstituon Kuvendin pa e mbyllur \u00e7\u00ebshtjen e Presidentit.<\/p>\n<p><strong>Pes\u00ebmb\u00ebdhjet\u00eb dit\u00ebt<\/strong><br \/>\nMe dekretimin e mandatarit nis afati 15-ditor p\u00ebr votimin e Qeveris\u00eb. Nuk ka pothuajse asnj\u00eb skenar realist n\u00eb t\u00eb cilin nj\u00eb qeveri e udh\u00ebhequr nga Kurti d\u00ebshton n\u00eb Kuvend. Shumica ekziston dhe Kurti nuk ka arsye ta p\u00ebrs\u00ebris\u00eb rrug\u00ebn e vitit 2025, kur d\u00ebshtimi i mandatarit t\u00eb par\u00eb e \u00e7oi vendin te kandidati i dyt\u00eb dhe pastaj te zgjedhjet.<\/p>\n<p>Por ai mund ta p\u00ebrdor\u00eb nj\u00eb pjes\u00eb t\u00eb mir\u00eb t\u00eb atyre 15 dit\u00ebve. Jo sepse i mungojn\u00eb votat, por sepse koha i sh\u00ebrben dhe sepse i duhet pamja e negociat\u00ebs. Mund t\u00eb thot\u00eb se dera mbetet e hapur, se po k\u00ebrkon zgjidhje m\u00eb t\u00eb gjer\u00eb dhe se nuk po e mbyll ask\u00ebnd jasht\u00eb. N\u00eb fund, Qeverin\u00eb mund ta votoj\u00eb me shumic\u00ebn q\u00eb e ka edhe pa LDK-n\u00eb. E merr ekzekutivin dhe, gjat\u00eb rrug\u00ebs, p\u00ebrpiqet ta ndaj\u00eb me t\u00eb tjer\u00ebt fatur\u00ebn politike t\u00eb munges\u00ebs s\u00eb marr\u00ebveshjes.<\/p>\n<p>K\u00ebtu gjendet arsyeja e v\u00ebrtet\u00eb e k\u00ebmb\u00ebnguljes s\u00eb LDK-s\u00eb p\u00ebr Presidenc\u00ebn. Hyrja n\u00eb Qeveri nuk i jep asaj siguri afatgjat\u00eb. N\u00ebse Kurti e ruan shumic\u00ebn parlamentare edhe pa LDK-n\u00eb, ai mund t&#8217;i largoj\u00eb ministrat e saj sapo marr\u00ebdh\u00ebnia t\u00eb prishet dhe t\u00eb vazhdoj\u00eb t\u00eb qeveris\u00eb.<\/p>\n<p>Presidentin, nd\u00ebrkaq, Kurti nuk mund ta shkarkoj\u00eb edhe n\u00eb skenarin hipotetik kur prishet koalicioni. P\u00ebr LDK-n\u00eb, ai post \u00ebsht\u00eb kund\u00ebrpesha pes\u00ebvje\u00e7are q\u00eb mbijeton edhe n\u00ebse marr\u00ebveshja p\u00ebr ekzekutivin zgjat 51 dit\u00eb apo, si\u00e7 thoshte Kurti para disa muajsh, as pes\u00eb or\u00eb. Prandaj LDK-ja k\u00ebrkon ta paraqes\u00eb paket\u00ebn si marr\u00ebveshje politike dhe jo si pazar p\u00ebr emra e ministri. Ajo e di se nj\u00eb koalicion me Kurtin mund t\u00eb zgjas\u00eb pak. Prandaj edhe po k\u00ebrkon di\u00e7ka q\u00eb nuk varet t\u00ebr\u00ebsisht nga vullneti i tij pasi Qeveria t\u00eb jet\u00eb zgjedhur.<\/p>\n<p><strong>16 shtatori<\/strong><br \/>\nAktgjykimi i trupit gjykues n\u00eb Dhomat e Specializuara, i caktuar p\u00ebr 16 shtator, nuk e ndryshon asnj\u00eb afat kushtetues. Mund ta ndryshoj\u00eb, megjithat\u00eb, \u00e7mimin politik t\u00eb zgjedhjeve t\u00eb reja.<\/p>\n<p>Pozita e Kurtit ndaj Dhomave t\u00eb Specializuara \u00ebsht\u00eb m\u00eb e nd\u00ebrlikuar sesa paraqitet zakonisht. L\u00ebvizja Vet\u00ebvendosje e kund\u00ebrshtoi themelimin e tyre dhe Kurti mund t\u00eb thot\u00eb me t\u00eb drejt\u00eb se nuk ishte pjes\u00eb e kompromisit q\u00eb i krijoi. Por ai ka qen\u00eb p\u00ebrfituesi kryesor politik i nj\u00eb terreni n\u00eb t\u00eb cilin figurat historike t\u00eb PDK-s\u00eb jan\u00eb larguar nga politika e p\u00ebrditshme, nd\u00ebrsa partia \u00ebsht\u00eb detyruar t\u00eb jetoj\u00eb mes mbrojtjes s\u00eb tyre dhe k\u00ebrkimit t\u00eb nj\u00eb identiteti t\u00eb ri. Kurti nuk e kontrollon at\u00eb proces, por mungesa e tyre ia ka dob\u00ebsuar kund\u00ebrshtarin m\u00eb t\u00eb organizuar.<\/p>\n<p>Nj\u00eb aktgjykim d\u00ebnues, sado cungues p\u00ebr partin\u00eb, mund t&#8217;i jap\u00eb PDK-s\u00eb t\u00eb pakt\u00ebn nominalisht nj\u00eb bosht mobilizimi rreth padrejt\u00ebsis\u00eb s\u00eb perceptuar, trash\u00ebgimis\u00eb s\u00eb luft\u00ebs dhe solidaritetit me ish-krer\u00ebt e U\u00c7K-s\u00eb. Nj\u00eb aktgjykim lirues do t&#8217;ua rikthente pesh\u00ebn politike figurave mbi t\u00eb cilat ajo ende nd\u00ebrton nj\u00eb pjes\u00eb t\u00eb identitetit t\u00eb vet. Edhe pse asnj\u00ebri variant nuk \u00ebsht\u00eb e th\u00ebn\u00eb q\u00eb domosdo do t\u00eb p\u00ebrkthehet automatikisht n\u00eb vota, s\u00ebrish, secili mund ta ndryshoj\u00eb energjin\u00eb elektorale t\u00eb PDK-s\u00eb dhe, bashk\u00eb me t\u00eb, llogarin\u00eb e Kurtit.<\/p>\n<p>N\u00ebse pas 16 shtatorit PDK-ja tregon shenja reale forcimi, marr\u00ebveshja me LDK-n\u00eb b\u00ebhet sigurim kund\u00ebr zgjedhjeve q\u00eb Kurti mund t\u2019i perceptoj\u00eb si t\u00eb pafavorshme. N\u00ebse ajo val\u00eb nuk materializohet, Kurti mund t&#8217;i ofroj\u00eb m\u00eb pak LDK-s\u00eb dhe ta pranoj\u00eb m\u00eb leht\u00eb mund\u00ebsin\u00eb e zgjedhjeve. N\u00eb an\u00ebn tjet\u00ebr, LDK-ja shtr\u00ebngohet nga t\u00eb dyja an\u00ebt, meqen\u00ebse nj\u00eb polarizim i ri LVV-PDK ia ngushton hap\u00ebsir\u00ebn elektorale dhe ia rrit nevoj\u00ebn p\u00ebr Presidenc\u00ebn, por nj\u00ebkoh\u00ebsisht ia rrit koston p\u00ebr t&#8217;u dukur si partia q\u00eb po e shp\u00ebton Kurtin. Pra, t\u00eb gjith\u00eb, e n\u00eb ve\u00e7anti Kurti, po e presin verdiktin e Hag\u00ebs p\u00ebr t\u00eb par\u00eb n\u00ebse ai ua b\u00ebn zgjedhjet m\u00eb t\u00eb rrezikshme apo m\u00eb t\u00eb leverdishme.<\/p>\n<p><strong>4 tetori<\/strong><br \/>\nM\u00eb 4 tetor p\u00ebrfundon periudha gjasht\u00ebmujore e ushtrimit t\u00eb detyr\u00ebs s\u00eb Presidentit. Aty mund t\u00eb nis\u00eb faza m\u00eb agresive e betej\u00ebs politike.<\/p>\n<p>Pas k\u00ebsaj date, Kurti mund ta ndryshoj\u00eb narrativ\u00ebn publike. Nuk do t\u00eb pyes\u00eb m\u00eb pse nuk u arrit marr\u00ebveshja. Do t\u00eb filloj\u00eb t\u00eb pyes\u00eb kush po e l\u00eb Kosov\u00ebn pa President. Me k\u00ebt\u00eb formulim, ai mund ta kthej\u00eb zbraz\u00ebtin\u00eb institucionale n\u00eb instrument presioni, ta ndaj\u00eb opozit\u00ebn dhe \u00e7do refuzim t\u00eb LDK-s\u00eb ta paraqes\u00eb si vendim p\u00ebr ta l\u00ebn\u00eb shtetin pa nj\u00eb institucion themelor.<\/p>\n<p>Presioni at\u00ebher\u00eb nuk do t\u00eb jet\u00eb vet\u00ebm mbi Abdixhikun, por mbi secilin deputet q\u00eb duhet t\u00eb vendos\u00eb n\u00ebse hyn n\u00eb sall\u00eb dhe n\u00ebse e siguron kuorumin. Kurti do t\u00eb k\u00ebrkoj\u00eb q\u00eb marr\u00ebveshja t\u00eb mos shihet m\u00eb si l\u00ebshim i tij ndaj LDK-s\u00eb, por si detyrim i t\u00eb tjer\u00ebve ndaj shtetit. Pik\u00ebrisht k\u00ebtu mund t\u00eb k\u00ebrkoj\u00eb \u00e7arje, abstenime ose vota individuale q\u00eb sot duken t\u00eb pamundshme.<\/p>\n<p>P\u00ebrvoja e krizave t\u00eb dy viteve t\u00eb fundit ka treguar se edhe afatet q\u00eb duken p\u00ebrfundimtare mund t\u00eb prodhojn\u00eb koh\u00eb shtes\u00eb, kur p\u00ebrplasjet politike shnd\u00ebrrohen n\u00eb konteste pran\u00eb Gjykat\u00ebs Kushtetuese. E kjo e fundit ka vendosur disa her\u00eb afate shtes\u00eb, si p\u00ebr konstituimin e Kuvendit, plot\u00ebsimin e Kryesis\u00eb dhe zgjedhjen e Presidentit. P\u00ebr Kurtin, \u00e7do jav\u00eb e fituar ka vler\u00eb t\u00eb dyfisht\u00eb, sepse n\u00eb nj\u00ebr\u00ebn an\u00eb ia zgjat koh\u00ebn p\u00ebr ta \u00e7ar\u00eb kund\u00ebrshtimin ndaj kandidatit t\u00eb tij, dhe n\u00eb an\u00ebn tjet\u00ebr e shtyn procesin eventual zgjedhjor nga n\u00ebntori drejt dhjetorit, kur p\u00ebrllogaritjet elektorale t\u00eb LVV-s\u00eb b\u00ebhen m\u00eb t\u00eb favorshme.<\/p>\n<p><strong>5 tetori<\/strong><br \/>\nM\u00eb 5 tetor p\u00ebrfundojn\u00eb 60 dit\u00ebt p\u00ebr zgjedhjen e Presidentit, n\u00ebse Kuvendi konstituohet nes\u00ebr. Pa marr\u00ebveshje dhe pa ndonj\u00eb nd\u00ebrhyrje t\u00eb Gjykat\u00ebs Kushtetuese n\u00eb nj\u00eb rast eventual, d\u00ebshtimi do ta shp\u00ebrndante Kuvendin dhe zgjedhjet do t\u00eb duhej t\u00eb mbaheshin brenda 45 dit\u00ebve, diku nga mesi ose fundi i n\u00ebntorit.<\/p>\n<p>E n\u00ebse ndonj\u00eb kontest kushtetues e shtyn kalendarin, dhjetori b\u00ebhet i mundsh\u00ebm. P\u00ebr LVV-n\u00eb, fundi i dhjetorit do t\u00eb ishte skenari ideal, duke u nisur nga fakti q\u00eb n\u00eb zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 mori mbi 51% t\u00eb votave dhe 57 mandate, rezultat m\u00eb i mir\u00eb se 47.13% dhe 53 mandatet e qershorit. Ndon\u00ebse prania e diaspor\u00ebs gjat\u00eb festave nuk e garanton p\u00ebrs\u00ebritjen e atij rezultati, ajo i jep s\u00ebrish Kurtit nj\u00eb nxitje krejt konkrete q\u00eb, n\u00ebse duhet t\u00eb shkoj\u00eb n\u00eb zgjedhje, t&#8217;i preferoj\u00eb ato sa m\u00eb af\u00ebr fundit t\u00eb vitit.<\/p>\n<p>N\u00eb kahun tjet\u00ebr, nuk duket se ka ndonj\u00eb skenar serioz, n\u00eb t\u00eb cilin Kurti, nga d\u00ebshp\u00ebrimi p\u00ebr Presidenc\u00ebn, b\u00ebn marr\u00ebveshje me AAK-n\u00eb apo edhe me List\u00ebn Serbe. S\u00eb pari, sepse AAK-ja e ka p\u00ebrjashtuar pjes\u00ebmarrjen n\u00eb Qeveri, nd\u00ebrsa hendeku politik mes LVV-s\u00eb dhe List\u00ebs Serbe \u00ebsht\u00eb shum\u00eb m\u00eb i madh se vlera e nj\u00eb kompromisi p\u00ebr Presidentin. Kurti do t\u00eb shkonte n\u00eb zgjedhje shum\u00eb p\u00ebrpara se ta paguante Presidenc\u00ebn me nj\u00eb marr\u00ebveshje q\u00eb do t&#8217;ia rr\u00ebnonte t\u00eb gjith\u00eb narrativ\u00ebn p\u00ebr veriun.<\/p>\n<p>Rruga m\u00eb e mundshme, pra, nuk nis me marr\u00ebveshje. M\u00eb 6 gusht LVV-ja e merr Kuvendin. Brenda afatit 15-ditor e merr edhe Qeverin\u00eb. Pas 16 shtatorit e mat leverdin\u00eb e zgjedhjeve. Pas 4 tetorit fillon ta p\u00ebrdor\u00eb rrezikun e Kosov\u00ebs pa President si presion mbi opozit\u00ebn dhe mbi deputet\u00ebt ve\u00e7 e ve\u00e7. Af\u00ebr 5 tetorit vendos n\u00ebse kompromisi me LDK-n\u00eb i kushton m\u00eb pak se zgjedhjet, ose n\u00ebse nj\u00eb betej\u00eb e re kushtetuese mund t&#8217;ia blej\u00eb koh\u00ebn q\u00eb i duhet.<\/p>\n<p>K\u00ebsisoj, edhe n\u00ebse marr\u00ebveshja arrihet, ajo ka shum\u00eb m\u00eb tep\u00ebr gjasa t\u00eb jet\u00eb nj\u00eb ujdi e vonshme p\u00ebr Presidentin sesa nj\u00eb koalicion i madh i lidhur n\u00eb gusht. LDK-ja po negocion p\u00ebr nj\u00eb marr\u00ebveshje q\u00eb i duhet tani. Kurti po negocion p\u00ebr momentin kur mungesa e saj do t\u00eb filloj\u00eb t&#8217;i kushtoj\u00eb edhe atij.<\/p>\n","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>Takimet e fundit mes LVV-s\u00eb dhe LDK-s\u00eb zgjat\u00ebn disa or\u00eb. Marr\u00ebveshja, megjithat\u00eb, mund t\u00eb thuhej se kishte d\u00ebshtuar para se delegacionet t\u00eb hynin n\u00eb sall\u00eb. LDK-ja erdhi me tri nga figurat e saj kryesore dhe me nevoj\u00ebn p\u00ebr nj\u00eb marr\u00ebveshje. Kurti erdhi vet\u00ebm me Hekuran Muratin dhe me luksin e mosarritjes s\u00eb marr\u00ebveshjes. N\u00eb politik\u00eb, [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":45,"featured_media":1099436,"comment_status":"closed","ping_status":"closed","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"_rp_translations":"","_rp_source_url":"","_rp_source_id":0,"_rp_ai_flags":"","_rp_ai_review":"","rank_math_title":"","rank_math_description":"","reporteri_sponsored":false,"reporteri_sponsor_name":"","reporteri_sponsor_url":"","reporteri_sponsor_spot":false,"footnotes":""},"categories":[70],"tags":[],"class_list":["post-1256405","post","type-post","status-publish","format-standard","has-post-thumbnail","hentry","category-opinione"],"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/reporteri.net\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/1256405","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/reporteri.net\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/reporteri.net\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/reporteri.net\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/users\/45"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/reporteri.net\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=1256405"}],"version-history":[{"count":0,"href":"https:\/\/reporteri.net\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/1256405\/revisions"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/reporteri.net\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/media\/1099436"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/reporteri.net\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=1256405"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/reporteri.net\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=1256405"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/reporteri.net\/sq\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=1256405"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}