×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    Lumë, liqe, e teleferik në Dragodan – premtimet “në hava” të kandidatëve për Kryetar të Prishtinës

    Reporteri
    22 Shtator 2021 | 17:32

    Fushata për të parin e Prishtinës ka filluar të intensifikohet, teksa paraqitja në publik e kandidatëve për kryetar të komunës nuk mungon. E në kohë fushate përveç deklarimeve shpesh herë të pamata, ka edhe premtime jo fortë mirë të kalkuluara.


    Tashmë pretendentit për të parin e kryeqytetit kanë dhënë disa premtime të mëdha e disa prej të cilëve u komentuan shumë.

    Që nga dje, kryeprotagonisti i komenteve në rrjete sociale është kandidati i LDK-së, Përparim Rama.

    Kjo pasi në një intervistë për një televizion ku Rama shpalosi programin e tij për mandatin katër vjeçar, pati një premtim të padëgjuar më parë e tepër befasues, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Gjatë intervistës pranë stadiumit kombëtar “Fadil Vokrri”, Rama, që për nga profesioni është arkitekt, premtoi që me ardhjen e tij në krye të Prishtinës, stadiumi ku kombëtarja e Kosovës luan ndeshjet, do të shndërrohet në liqe. Natyrisht, artificial.

    “Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ mund të zhvendoset diku tjetër dhe të bëhet më modern, më super-atraktiv”, ka thënë Përparim Rama.

    “Aty ku tani ndodhet stadiumi mund të krijohet një liqe”, shtoi ai.

    Përveç kësaj, kandidati i LDK-së për Prishtinë, shpalosi idenë që sheshi kryesor “Nënë Tereza” të zgjatet deri tek “Rrethi i Flamurit”.

    I pyetur për idenë e tij të zgjatjes tutje të sheshit qendror, ai tha se “po, unë mendoj që sheshi ‘Nënë Tereza’ dhe gjithë qendra e Prishtinës duhet të jetë brenda rrethit qendror të Prishtinës”.

    Edhe një kandidat tjetër i Prishtinës pati një premtim interesant.

    Daut Haradinaj, kandidat i AAK për kryeqytet, nëpërmjet një postimi në Facebook premtoi teleferik për lagjen Arbëria të Prishtinës.

    “Lagjja Arbëria do të kthehet në njërën nga zonat më atraktive të kryeqytetit me një projekt publiko – privat. Ndërtimi i teleferikut tek shkallët e Arbërisë do t’i lehtësojë banorëve lidhje më të shpejtë me Qendër”, shkroi Haradinaj, përcjellë Reporteri.net.

    Para kësaj, edhe Haradinaj ka premtuar zgjatjen e sheshit kryesorë të Prishtinë. Por, për të do të ishte mjaftueshëm deri tek Katedralja e Prishtinës.

    Por, përveç zgjatjes së sheshit, Haradinaj e ka parë të nevojshme që aty të krijohet edhe “Walk of Fame” me yje të artistëve të shquar, diçka si në Hollywood, veçse në Prishtinë.

    Premtime pak më të matura ka dhënë kandidati i PDK-së për Prishtinë, Uran Ismaili. Në videot e publikuara, Ismaili shpalosur programin e tij duke premtuar shkolla digjitale, parkingje për secilën familje dhe mbi 100 kilometra shtigje të biçikletave.

    E kandidati i PDK-së tashmë ka ndryshuar metodë të fushatës. Për dallim nga para fushata, Ismaili ka stopuar me ‘serinë e bujtjes’ duke filluar bashkëbisedimin me qytetarët nëpër lagje. Ai nga e marta ka nis një seri të diskutimeve me ekspertë e të ftuar të tjerë që e ka titulluar ‘Prishtina podcast’, shkruan Reporteri.net.

    Për dallim nga ta, krejt ndryshe po vepron kandidati i VV-së për Prishtinë, Arben Vitia, që aktualisht drejton Ministrinë e Shëndetësisë dhe ndodhet nën presionin e (keq)menaxhimit të situatës me COVID në vend. Gjendje që pak ditë para se të nisë fushata, doli jashtë kontrollit, për shkak të lehtësimit të masave gjatë periudhës së verës.

    Deri më tani, Vitia nuk ka paraqitur asnjë ide e plan për kryeqytetin. Madje ai nuk ka dhënë as premtime dhe duket se nuk është aktiv në fushatë për të parin e Prishtinës.

    Por, fushatë për të ka filluar të bëjë kryetari i VV-së e njëherit kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, i cili të martën u pa në një takim me qytetarë në një lagje të Prishtinës.

    Janë edhe tre jave deri në përfundim të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. Deri më 15 tetor kur edhe përfundon zyrtarisht fushata, pritet të ketë edhe shumë premtime ‘në hava’.

    Por nëse mendoni që teleferiku e liqeni artificial janë krejt çka janë premtuar në këtë fushatë, jeni gabim.

    Një kandidat tjetër për Prishtinën premtoi që më në fund kryeqyteti i Kosovës të ketë lumë.

    “Diskriminimi” se Prishtina është kryeqytetit i vetëm pa lumë, sipas kandidatit për Kryetar të Prishtinës nga radhët e AKR-së, Gëzim Mehmeti, do të marrin fund nëse zgjidhet ai kryetar.

    “Rruga A do ta ketë edhe lumin pra komuna e Prishtinës nuk do të quhet qytet pa lumë por do ta ketë lumin i cili do të rindërtohet pjesa e shtratit”, deklaroi ai mbrëmë në një intervistë televizive.

    Zgjedhjet lokale do të mbahen me 17 tetor të këtij viti./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!