Adriana Matoshi anëtarësohet në VV, Kurti shkruan:”O sa mirë”

Kreu i VV-së, Albin Kurti ka njoftuar se kandidatja për deputete, Adriana Matoshi është anëtarësuar në Vetëvendosje.


Kurti a cilësuar Matoshin si një nga aktoret më të mira në vendin tonë.

Adriana Matoshi do ta ketë numrin 60 në listën e Vetëvendosjes.

Njoftimi i plotë i Kurtit:

O sa mirë!
Adriana Matoshi u anëtarësua mbrëmë në VETËVENDOSJE!. Adriana është një ndër aktoret më të mira shqiptare dhe ndër më të kërkuarat në zejen e filmit në vend. Ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Arteve, në klasën e Profesor Faruk Begollit. Disa nga çmimet e shumta kombëtare e ndërkombëtare që ka fituar janë: çmimi “aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin “Kthimi” të regjisores Blerta Zeqiri, në Brazil, Valencia të Spanjës si dhe në Paris, çmimi “aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin “Zana” në Berlin, dhe në New Jork është shpërblyer edhe për rolin e saj në filmin “T’padashtun”. Përkundër roleve të saj në film, ajo ka luajtur edhe në shumë shfaqje teatrale si “Mësimi”, “Kumbara”, “Dejzilend”, “Shtëpia e Berndarda Albës”, “Këmisha e gjakut”, “Tudje srce”, “Romeo and Juliet”, etj. Adriana është anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit, dhe ka qenë drejtoreshë e Teatrit të Gjilanit në vitin 2007 dhe po ashtu edhe kryetare e bordit drejtues të këtij teatri. Ajo ka luajtur shumë role gjatë karrierës së saj, mirëpo roli më i rëndësishëm vazhdon të jetë ai i gruas aktiviste. Adriana Matoshi është në mesin e 41 grave në listën tonë të referendumit për deputete të ardhshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës.