×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Vetëvendosje sërish në sulm ndaj Valdete Dakës për vendimin e PZAP-së

    Reporteri
    26 Janar 2021 | 18:07

    Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sërish ndaj vendimit të Paanelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili vendosi se pesë kandidatë të kësaj partie të moscertifikohen për në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Reporteri.


    Ata sërish kanë sulmuar kryetaren e Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, Valdete Dakën, duke thënë se PZAP veproi në vijë me kryetaren Daka dhe PDK-në e LDK-në.

    “Sot Paneli për Ankesa dhe Parashtresa nxori një vendim absurd, duke ia ndaluar kandidimin, kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bartësit të listës, Albin Kurti, si dhe kandidatëve tanë, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi. PZAP veproi në një vijë me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, duke sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese vetëm sa për të prodhuar këtë pengesë që është në fakt një padrejtësi e shumëfishtë”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

    Sipas tyre të konfirmosh, siç ka bërë PZAP, nën direktivën arbitrare të kryesueses së KQZ-së, përjashtimin nga lista zgjedhore të të kandiduarve, do të thotë që të gjykosh për të dytën herë atë që Gjykata tashmë e ka përbyllur pa pasoja juridike.

    “Pra, praktikisht PZAP po jep dënim me masë më të rëndë se sa parashihet me ligj. E kjo as është detyrë e PZAP-së, e as është e imagjinueshme në një shtet të së drejtës dhe demokratik. Kështu si ky vendim sot duket vetëm inkuizicioni. Inkuizicion politik e juridik. Kjo padrejtësi e dalë haptazi bashkë me aktorët që e bartin atë ndër vite në Kosovë, është kufizim i të drejtave në atë shkallë që synon eliminimin politik”, thuhet tutje në reagim.

    Këto vendime sipas VV-së, janë shpërfaqje e një konjukture që i rri mbi kry demokracisë.

    “Këto vendime, pra, ai i disa anëtarëve të KQZ dhe ky sot i PZAP-së, janë shpërfaqje e një konjukture që i rri mbi krye institucioneve duke ua zënë frymën demokratike. Por jo edhe për shumë gjatë. Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet, sepse kështu e thotë e drejta, dhe lista e VETËVENDOSJE!-s do të paraqitet e plotë e fitimtare në zgjedhjet e 14 shkurtit sepse kështu po e kërkon populli”, thuhet në reagim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!