×
  • Lajme
  • Botë

    Presidenti francez, Emmanuel Macron në mesin e 14 liderëve botërorë që mund të jenë përgjuar me aplikacionin “Pegasus”

    Reporteri
    20 Korrik 2021 | 21:25
    Emmanuel Macron - Projekti Pegasus - Reporteri

    Baza e të dhënave e zbuluar nga projekti “Pegasus” përfshin numrat e telefonit të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe 13 krerëve tjerë të shteteve dhe qeverive, zbulon The Guardian.


    Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa dhe kryeministri pakistanez, Imran Khan, janë renditur gjithashtu në të dhënat e zbuluara, të cilat përfshijnë diplomatë, shefa ushtarakë dhe politikanë të lartë nga 34 vende, përcjellë Gazeta Online “Reporteri.net”.

    NSO tha që Macron nuk ishte “shënjestër” e asnjë prej klientëve të saj, që do të thotë se kompania mohon se ai ishte zgjedhur për mbikëqyrje duke përdorur projektin “Pegasus”.

    Kompania shtoi se fakti që një numër u shfaq në listë nuk ishte në asnjë mënyrë tregues nëse ai numër ishte zgjedhur për mbikëqyrje duke përdorur “Pegasus”.

    Por, lista besohet të jetë treguese e individëve të identifikuar si persona me interes nga klientët qeveritarë të NSO. Ajo përfshin njerëz që më vonë u vunë në shënjestër për mbikëqyrje, sipas analizës mjeko-ligjore të telefonave të tyre, ndërsa NSO është këmbëngulëse se ajo u kërkon klientëve të saj qeveritarë të përdorin vetëm mjetet e saj të fuqishme të spiunimit për hetime të ligjshme për terrorizëm ose krim.

    The Guardian” dhe partnerë të tjerë mediatikë në projektin Pegasus identifikuan ato qeveri që besohet të jenë përgjegjëse për zgjedhjen e numrave individualë në të dhëna duke shqyrtuar nga afër modelet e përzgjedhjes.

    Figurat politike, numrat e të cilave shfaqen në listë përfshijnë:

    – Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, i cili duket se është zgjedhur nga Ruanda në 2019

    – Emmanuel Macron, presidenti francez, i cili duket se është zgjedhur si një person me interes nga Maroku në vitin 2019. Një zyrtar i pallatit Élysée tha: “Nëse kjo vërtetohet, atëherë është shumë serioze. E gjithë drita do të hidhet mbi këto zbulime mediatike”.

    – Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili gjithashtu duket se ka qenë me interes për Marokun në vitin 2019

    – Saad Hariri, i cili dha dorëheqjen si kryeministër i Libanit javën e kaluar, duket se ishte zgjedhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe në vitet 2018 dhe 2019

    – Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, i cili duket se është zgjedhur si një person me interes nga Maroku në 2019, kur ishte kryeministër i Belgjikës

    – Mbreti Mohamed VI i Marokut, i cili u zgjodh si një person me interes në 2019, me sa duket nga forcat e sigurisë në vendin e tij

    – Saadeddine Othmani, kryeministri i Marokut, i cili gjithashtu u zgjodh si një person me interes në 2018 dhe 2019

    – Imran Khan, kryeministri i Pakistanit, i cili u zgjodh si një person me interes nga India në 2019

    – Felipe Calderón, ish president i Meksikës. Numri i tij u zgjodh në vitet 2016 dhe 2017 nga ajo që besohet të ketë qenë një klient meksikan gjatë një periudhe kur gruaja e tij, Margarita Zavala po kandidonte për pozitën më të lartë politike në vend

    – Robert Malley, një diplomat i vjetër amerikan i cili ishte kryenegociatori në marrëveshjen SHBA-Iran dhe i cili duket se është zgjedhur si një person me interes nga Maroku në 2019

    Pegasus – Teknologjia përgjuese që kërcënon demokracinë

    Projekti “Pegasus” nuk mund të ekzaminonte celularët e liderëve dhe diplomatëve dhe për këtë arsye nuk mund të konfirmonte nëse kishte pasur ndonjë përpjekje për të instaluar virus në telefonët e tyre.

    Përveç mohimit se Macron ishte në ‘shënjestër’, një zëdhënës i Grupit NSO gjithashtu tha se Mbreti Mohammed VI dhe Tedros Ghebreyesus “nuk janë, dhe kurrë nuk kanë qenë objektiva ose të zgjedhur si shënjestra të klientëve të Grupit NSO”.

    Kompania e mbikëqyrjes thotë se nuk ka qasje në të dhënat e klientëve të saj, por thonë se ata janë të detyruar t’i sigurojnë firmës informacione të tilla kur t’i vendosin ato nën hetim. Kompania duket se ka ndërmarrë një hetim të tillë ndaj Marokut, i cili besohet të jetë një nga klientët e saj.

    Mirëpo, NSO nuk komentoi nëse Michel, presidenti i Këshillit Evropian, dhe ish-kryeministri belg, apo Othmani, kryeministri i Marokut, ishin nën ‘shënjestër’, përcjell në shqip Reporteri.net.

    Ekzaminimet mjeko-ligjore të një mostre prej 67 telefonësh në të dhënat që kanë rrjedhur u përkisnin aktivistëve të të drejtave të njeriut, gazetarëve dhe avokatëve, e që në 37 prej tyre është gjetur se përmbanin gjurmë të infektimit me projektin “Pegasus” ose tentativë për infektim.

    Midis numrave të zgjedhur si individë me interes nga një klient i NSO, ishte ai i Kryeministrit Egjiptian, Mostafa Madbouly, që besohet të jetë nga qeveria Saudite.

    A u përgjuan kosovarët me “Pegasus”? Flasin zyrtarët qeveritarë e njohësit e teknologjisë në Kosovë

    Si Arabia Saudite edhe edhe Emiratet e Bashkuara Arabe besohet të kenë zgjedhur Barham Salih, presidentin e Irakut, i cili është afër SHBA-së, si një kandidat me interes për qeveritë e tyre, ku edhe numri i këtij të fundit u shfaq në listë.

    Por, të dyja këto, Arabia Saudite edhe Emiratet e Bashkuara kanë zgjedhur të mos komentojnë asgjë.

    Autoritetet e Ruandës kanë mohuar kategorikisht aksesin në teknologjinë e Grupit NSO, por prej kohësh dyshohet se janë klientë të firmës izraelite.

    Maroku ka mohuar spiunimin ndaj ndonjë udhëheqësi të huaj dhe ka thënë se gazetarët që hetonin NSO ishin “të paaftë për të vërtetuar ndonjë marrëdhënie me kompaninë izraelite.

    As India dhe Pakistani nuk kanë komentuar për pretendimet se Delhi mund të ketë zgjedhur kryeministrin e Pakistanit, Khan, si shënjestër. India ka thënë se ka krijuar protokolle të mira për përgjimin, i cili kërkon miratimin nga zyrtarë të rangut kombëtarë.

    Ish-ministri i brendshëm i Meksikës, Miguel Ángel Osorio Chong, i cili shërbeu midis viteve 2012 dhe 2018, tha se gjatë mandatit të tij ministria e brendshme kurrë nuk ka autorizuar dikë për pirateri, citon Reporteri.net, botuesit e hulumtimit.

    Pas fillimit të projektit “Pegasus”, Shalev Hulio, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i NSO, tha se ai vazhdoi të kontestonte se të dhënat që rrodhën kanë lidhje me NSO, por u shpreh i shqetësuar dhe premtoi se do të hetohen të gjithë.

    “Projekti Pegasus” është një hetim bashkëpunues gazetaresk ndaj NSO Group dhe klientëve të tij. Kompania shet teknologji të mbikëqyrjes së qeverive në të gjithë botën. Produkti i tij kryesor është Pegasus, softuer spiunimi që për synim ka iPhone dhe pajisjet Android.

    Hulumtimi është bërë nga 17 organizata globale të lajmeve – përfshirë “The Guardian” dhe “The Washington Post” – të cilët kanë bashkuar përpjekjet e tyre në një konsorcium të quajtur projekti Pegasus.

    VËMENDJE: Pjesë nga afera e spiunazhit ‘Pegasues’, të përkthyera në shqip nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, mund t’i gjeni KËTU…

    /Përktheu dhe përshtati në shqip: Linda Ibrahimaj Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!