Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është përfshirë në një përleshje me një qytetar, derisa ishte duke dhënë një intervistë në qendër të Prishtinës.
Zemaj dyshohet se e ka grushtuar qytetarin pasi që ai e provokoi me fjalë.
Në incidentin me deputetin Zemaj është përfshirë Nuha Osmani, mërgimtar nga Gjermania.
Ai ka reaguar për media, duke kërkuar që deputetët që sillen me dhunë të japin dorëheqje.
“Ai më ka fyer me grua dhe me nënë. Unë iu afrova me pyet çka po don ai u soll dhunshëm dhe më goditi. Unë prej tij kisha kërku me i kërku falje krejt qytetarëve të Kosovës edhe mue për sjelljen e tij arrogante. Të tjerat le ti kryn drejtësia, nëse ka drejtësi”, tha ai për RTK.
Deputeti Armend Zemaj ka thënë se qytetari e ka ofenduar dhe provokuar verbalisht me fjalë të papranueshme dhe se në atë moment ka reaguar “në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt”.
Ai ka kërkuar falje publike.
“Në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili nuk me ka ndodhë kurrë gjatë karrierës sime, dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike. Kam respekt të plotë për çdo person, për çdo mendim dhe çdo kritikë, pavarësisht se sa e ashpër mund të jetë ajo, e imja është te mos reagoj me emocione. Andaj duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin“, ka shkruar Zemaj në Facebook.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar incidentin ku është përfshirë deputeti i LDK’së, Armend Zemaj, i cili ka grushtuar një qytetar në shesh.
Zëdhënësi i Policisë për Prishtinë, Enis Pllana, ka konfirmuar për Reporteri.net se Zemaj dhe qytetari janë intervistuar në Polici.
Edhe, Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot gjatë një interviste publike, ku deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, pasi u ofendua nga një qytetar e grushtoi atë.
Në komunikatën e saj, LDK e ka cilësuar këtë akt si “të papranueshëm” dhe “cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit dhe ndaj integritetit të institucioneve demokratike të vendit”.
“Sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj përfaqësuesve të popullit dhe zyrtarëve të LDK-së, përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit institucional dhe të kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti ynë. Mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, por shprehja e tij kurrë nuk mund të kalojë në fyerje apo dhunë”, thuhet në reagimin e kësaj partie, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
LDK ka shprehur solidaritet të plotë me deputetin Zemaj dhe ka kërkuar nga organet e rendit dhe të ligjit që të sqarojnë me përgjegjësi rrethanat e sulmit.
“Respekti ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre është respekt ndaj vetë shtetit dhe ndaj rendit demokratik. Kultura e debatit, e respektit dhe e dinjitetit duhet të mbizotërojë në jetën publike, si garanci e paqes shoqërore dhe e funksionimit demokratik të shoqërisë sonë”, përfundon reagimi i LDK-së. /Reporteri.net/