Pas më shumë se 27 vjetësh pritje, familja e doktor Fatmir Fazliut ka marrë konfirmimin se mbetjet mortore të tij janë identifikuar përmes analizave të ADN-së në laboratorët e Hagës.
Vajza e tij, Flaka Fazlija, ka reaguar me një mesazh prekës, duke kujtuar pritjen e gjatë, dhimbjen dhe shpresën se një ditë do të mësonin për fatin e babait të tyre.
“27 vite pritje, 27 vite ankth… por sot, më në fund, e vërteta gjeti rrugën e saj”, ka shkruar ajo.
Flaka ka thënë se për gati tri dekada familja e ka mbajtur gjallë kujtimin për të me krenari e dhimbje, duke besuar në vlerat, trashëgiminë dhe kontributin e tij, por edhe në kthimin e tij.
Ajo e ka kujtuar të atin si mjek të luftës, humanist dhe dëshmor, duke theksuar se ai po i rikthehet tokës që e deshi dhe për të cilën sakrifikoi.
“Babi po e përmbyll ciklin e tij jetësor me dinjitetin e një humanisti, me lavdinë e një dëshmori e me kontributin e paçmuar si mantelbardh i lirisë në ato pak vite jetë”, ka shkruar Flaka.
Në mesazhin e saj, ajo i është drejtuar të atit me fjalë të ndjera:
“Pushofsh në paqen e amshuar, o qiri i dijes, o yll i shpresës, o dritë e orëve më të errëta!”
Vajza e doktor Fazliut ka falënderuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe të gjithë ata që kontribuuan në zbardhjen e rastit, ndërsa ka bërë të ditur se për detajet e ceremonisë së rivarrimit familja do të njoftojë me kohë.
Doktor Fatmir Fazliu është njëri nga tre pjesëtarët e “Grupit të Intelektualëve”, së bashku me Adem Ademin dhe Ali Halitin, identiteti i të cilëve u konfirmua pas analizave të reja të ADN-së nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë.