Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj shtatë personave, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Pjesëmarrja apo organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Kontrabandimi me migrantë”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit B.H., A.B., Sh.T., E.Zh., G.Sh., A.M. dhe L.A., gjatë viteve 2023-2024, në territorin e Republikës së Kosovës, kanë vepruar si pjesë e një grupi kriminal të organizuar, me qëllim të kontrabandimit të migrantëve për përfitim të kundërligjshëm material.

Të pandehurit akuzohen se, në kuadër të një strukture të qëndrueshme kriminale, me role të ndara, planifikim paraprak dhe koordinim të vazhdueshëm, kanë organizuar, mundësuar dhe realizuar kontrabandimin e migrantëve të huaj.

Reklamë

Bëhet fjalë për shtetas të Sirisë, Afganistanit, Irakut, si dhe persona nga Lindja e Mesme dhe Azia, të cilët, sipas aktakuzës, nuk posedonin dokumentacion të rregullt për hyrje apo qëndrim në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit i kanë siguruar migrantët në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe i kanë futur në mënyrë të kundërligjshme në territorin e Republikës së Kosovës, jashtë pikave të autorizuara kufitare.

Kontrabandimi, sipas pretendimeve të paraqitura në aktakuzë, është realizuar përmes shtigjeve malore dhe rrugëve alternative në zonën Gorozhup-Vërmicë.

Sipas aktakuzës, për secilin migrant është paguar një shumë deri në 4 mijë euro për të gjithë itinerarin e migrimit drejt Evropës.