Aleanca ka propozuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, përmes të cilit synon t’u mundësohet pensioni kontributpagues proporcional edhe qytetarëve që kanë paguar kontribute para 1 janarit 1999, por nuk e kanë plotësuar periudhën e nevojshme për të përfituar nga skemat ekzistuese.
Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, në një konferencë për media ka prezantuar propozimin për shtimin e nenit të ri 8/B, i cili parasheh që pensioni të llogaritet në përpjesëtim me vitet, muajt dhe ditët për të cilat qytetarët kanë paguar kontribute.
Haxhiu tha se propozimi synon të adresojë rastet kur qytetarëve u mungojnë vetëm disa muaj apo ditë për të plotësuar periudhën e kërkuar, duke theksuar se skemat ekzistuese dhe të drejtat e personave që tashmë përfitojnë nga to do të ruhen.
“Sot po prezantoj një propozim për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Ky propozim ka një qëllim të qartë. Të përfitojnë pension kontributpagues edhe qytetarët që kanë paguar kontribute, por nuk e kanë plotësuar periudhën e nevojshme për të hyrë në skemat ekzistuese. Bëhet fjalë për njerëz që kanë punuar dhe kanë paguar kontribute para 1 janarit të vitit 1999. Për njerëz që kanë vite pune të dëshmuara, por që sot nuk kualifikohen për pension kontributpagues për shkak se nuk e arrijnë periudhën e kërkuar. Dikujt i mungon një vit. Dikujt disa muaj. Dikujt mund t’i mungojnë vetëm disa ditë. Pyetja që sot e shtrojmë është e thjeshtë. A duhet që mungesa e disa muajve apo ditëve t’ia mohojë qytetarit mundësinë për të përfituar nga vitet për të cilat ka paguar kontribute? Unë konsideroj se duhet të gjejmë një zgjidhje të drejtë. Nëse një person nuk e plotëson periudhën për pension sipas kushteve aktuale, ai duhet të ketë mundësi të marrë një pension në përpjesëtim me kontributet që i ka paguar”, tha Haxhiu.
Ajo sqaroi se propozimi nuk parasheh ndryshimin e kushteve për pensionin kontributpagues të moshës dhe pensionin parcial kontributpagues për personat e larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme.
“Pikërisht këtë synon propozimi që po prezantoj sot. Dua të sqaroj që në fillim një çështje shumë të rëndësishme për pensionistët dhe familjet e tyre. Me këtë propozim ruhen skemat ekzistuese dhe të drejtat e atyre që përfitojnë sipas tyre. Së pari, ruhet pensioni kontributpagues i moshës, i rregulluar me nenin 8 të ligjit. Personat që i plotësojnë kushtet e kësaj skeme vazhdojnë të përfitojnë sipas rregullave ekzistuese”, potencoi ajo.
“Së dyti, ruhet pensioni parcial kontributpagues, i rregulluar me nenin 8/A, për personat e larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme. Ruhen kushtet e kësaj skeme dhe mënyra aktuale e llogaritjes së pensionit. Dispozitat që njohin pasojat e largimit të dhunshëm nga puna mbeten në fuqi. Periudha që u njihet këtyre qytetarëve për plotësimin e kushtit të përfitimit vazhdon të trajtohet sipas ligjit ekzistues”, tha ajo.
Haxhiu theksoi se pensioni i ri proporcional do të shqyrtohej vetëm në rastet kur qytetarët nuk i plotësojnë kushtet për të përfituar nga dy skemat ekzistuese.
“Kjo mbrojtje vlen për pensionistët që përfitojnë sot, por edhe për qytetarët që i plotësojnë këto kushte dhe do të aplikojnë në të ardhmen. Së treti, propozojmë shtimin e nenit të ri 8/B. Përmes tij krijohet mundësia për pension kontributpagues proporcional për qytetarët që kanë paguar kontribute, por që nuk kualifikohen sipas dy dispozitave të mëparshme për shkak të periudhës së pamjaftueshme”, tha ajo.
“Do të thotë se fillimisht administrata duhet të shqyrtojë nëse qytetari ka të drejtë të përfitojë sipas skemave ekzistuese. Duhet të marrë parasysh edhe periudhën që i njihet për largimin nga puna nga masat e dhunshme, kur plotësohen kushtet ligjore. Nëse qytetari kualifikohet, pensioni i tij përcaktohet sipas asaj skeme. Nëse nuk e plotëson periudhën e kërkuar, atëherë shqyrtohet e drejta për pensionin e ri proporcional. Askush që përfiton sipas skemave ekzistuese nuk kalon te formula e re për shkak të këtij propozimi. Fjala “proporcional” mund të tingëllojë teknike, por kuptimi i saj është shumë i thjeshtë. Pensioni llogaritet sipas viteve, muajve dhe ditëve për të cilat janë paguar kontribute”, theksoi ajo.
Duke shpjeguar mënyrën e llogaritjes, Haxhiu dha një shembull me pensionin prej 300 eurosh, të cilin e ndau në 15 vjet kontribute, duke e paraqitur si bazë prej 20 eurosh për çdo vit.
“Po e shpjegoj me një shembull. Nëse pensioni i plotë kontributpagues i kategorisë përkatëse do të ishte 300 euro në muaj, këtë shumë e pjesëtojmë me 15. Rezultati është 20 euro pension mujor për çdo vit kontributesh. Një qytetar me 14 vite kontribute do të përfitonte 280 euro në muaj. Një qytetar me 14 vite e gjashtë muaj kontribute do të përfitonte 290 euro në muaj. Një qytetar me 12 vite muaj kontribute do të përfitonte 200 euro në muaj”, shtoi.
Ajo bëri të ditur se shuma prej 300 eurosh është vetëm shembull ilustrues dhe se llogaritja konkrete do të varet nga pensioni në fuqi dhe periudha e kontributeve të dëshmuara.
“Shuma prej 300 eurosh është vetëm një shembull për ta shpjeguar llogaritjen. Shuma konkrete do të varet nga pensioni në fuqi i kategorisë përkatëse dhe nga periudha e kontributeve të dëshmuara. Në këtë llogaritje përfshihen edhe muajt dhe ditët. Sepse, nëse po synojmë t’u japim zgjidhje edhe qytetarëve të cilëve u mungojnë vetëm pak ditë për ta plotësuar periudhën e kërkuar, duhet që çdo ditë e kontributeve të tyre të merret parasysh”, tha ajo.
Sipas Haxhiut, propozimi do t’u mundësonte të aplikonin sërish edhe personave të cilëve u është refuzuar më herët kërkesa për pension për shkak të periudhës së pamjaftueshme të kontributeve.
“Propozimi u jep mundësi të aplikojnë përsëri edhe personave që janë refuzuar më herët për shkak të periudhës së pamjaftueshme. Dokumentet e vlefshme që gjenden tashmë në dosjet e tyre do të përdoren gjatë shqyrtimit. Qytetarët nuk duhet të detyrohen t’i dorëzojnë përsëri dokumentet që administrata i ka. Pensioni proporcional do të përshtatet edhe kur ndryshon shuma e pensionit kontributpagues që përdoret për llogaritjen e tij. Ky përshtatim parashihet të bëhet nga administrata, pa kërkesë të re nga pensionisti”, tha ajo.
Në fund, Haxhiu tha se zbatimi i propozimit do të kërkonte mjete buxhetore dhe vlerësim të numrittë qytetarëve që mund të përfitojnë, si dhe të kostos së pagesave. Ajo ftoi grupet parlamentare dhe institucionet përgjegjëse që të kontribuojnë në shqyrtimin e tij.
“Për zbatimin e këtij propozimi duhen edhe mjete buxhetore. Prandaj, nevojiten të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve që mund të përfitojnë, periudhat e kontributeve të tyre dhe koston e pagesave. Këtë vlerësim duhet ta bëjmë me institucionet përgjegjëse, në mënyrë që e drejta që propozojmë të shoqërohet me financimin e nevojshëm. Ky është një projektligj që do të duhet të kalojë nëpër shqyrtim dhe miratim në Kuvend. I ftoj grupet parlamentare ta shqyrtojnë me seriozitet. I ftoj institucionet përgjegjëse, përfaqësuesit e pensionistëve dhe sindikatat të kontribuojnë me të dhënat, përvojat dhe vërejtjet e tyre”, tha ajo.