Një reagim për veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit e ka bërë edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se veprime të tilla si ai i sotmi, kërkojnë konsultim me miqtë e Kosovës.
Ambasadori Hargreaves tha se veprimet e sotme u bënë pa konsultim dhe rrezikojnë nxitjen e tensioneve.
“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë. Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit.” , thuhet në reagimin e ambasadorit Hargreaves.
Aksioni u dënua edhe nga Ambasada Amerikane, gjermane e franceze.
Aleatët ndërkombëtar u shprehën të zhgënjyer me veprimet e qeverisë së Albin Kurtit, ndonëse kishin marrë premtime për veprime të koordinuara.