Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin të akuzuarit Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq u dënuan me nga 15 vjet burgim për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”, duke refuzuar ankesat e palëve.
Aktgjykimi dënues nga Themelorja ishte shpallur më 28 korrik 2025, ndërkaq ky gjykim është zhvilluar në mungesë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kundër këtij aktgjykimi, kishte parashtruar ankesë mbrojtësi i të pandehurit Ivica Rajkoviq, avokati Ljubinko Todoroviq, duke kundërshtuar gjendjen faktike të vërtetuar nga shkalla e parë, me propozim se i akuzuari të lirohet nga fajësia.
Po ashtu, ankesë ka paraqitur edhe mbrojtësja e të pandehurit Dragan Deniq, avokatja Milka Millosavljeviq, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe lartësisë së dënimit, me propozim që i pandehuri të lirohet apo lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.
Kurse, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Makifete Saliuka, parashtroi ankesë për shkak të zbatimit të gabuar të Ligjit Penal lidhur me sanksionin penal, me propozim se Apeli ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të pandehurve Rajkoviq dhe Deniq t’i shqiptojë dënim me burgim nga 20 vjet.
Ndërsa, Prokuroria e Apelit me anë të parashtresës kishte propozuar se ankesat e avokatëve Todoroviq dhe Millosavljeviq të refuzohen si të pabazuara, kurse të aprovohet si e bazuar ankesa e avokates Saliuka për vendimin mbi dënimin.
Gjithashtu, edhe në seancën e Kolegjit të Apelit të mbajtur më 4 qershor 2026, palët mbrojtëse kanë deklaruar se mbeten në tërësi pranë ankesave të paraqitura me shkrim.