Një person i dyshuar për grabitjen e rreth 8 mijë eurove në një biznes në Gjakovë është arrestuar të enjten, pasi kishte qenë në arrati.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj tij dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari, më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çeta”, në një biznes të identifikuar si “R.M.T.”, dyshohet se i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës ka grabitur rreth 8 mijë euro.
Ai dyshohet se e ka kërcënuar punonjësen e biznesit dhe më pas i ka marrë paratë nga dollapi ku mbaheshin ato.
“I pandehuri Ç.Zh. ka qenë në arrati, ndërsa më datë 15 tetor 2026 është arrestuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Grabitja”, nga neni 317, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.